< Milionat që na humbin - Editoriali - Kosova Sot
Milionat qė na humbin

Milionat qė na humbin

Shifrat zyrtare flasin për një informalitet rreth 32 për qind, por e vërteta mund të jetë dukshëm më e hidhur për ekonominë e Kosovës. Qindra miliona qarkullojnë rrugëve të paligjshme, ndërsa përfituesit mbeten të paprekshëm, sepse duket se i kanë lidhjet e fuqishme me pushtetin. Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë adresuar kritika me vend ndaj Qeverisë, për neglizhencë në luftimin e ekonomisë informale, por i mbetet tash ekzekutivit aktual të dëshmojë vullnet dhe të ndërmarrë aksione konkrete për zvogëlimin e informalitetit, që aktualisht është shumë mbi nivelin e shteteve të BE-së. Sa më tepër që tolerohet ajo që njihet si ekonomia e zezë, aq më shumë do të humbasë buxheti i Kosovës. Luftimi me sukses i kësaj dukurie rrënuese për arkën e shtetit ndërlidhet së pari me sundimin e ligjit. Në një mjedis biznesor ku konkurrenca është e cenuar, ku favorizohen kompanitë me prapavijë politike dhe diskriminohet sipërmarrja e ndershme, është vështirë të kemi rezultate inkurajuese në këtë drejtim. Deri tani, nuk është parë ndonjë veprim bindës apo shpresëdhënës se do të goditet ashpër informaliteti në vendin tonë, prandaj edhe debati i djeshëm, në të cilin u diskutua për këtë temë, duhet të shërbejë si nxitje për t'u angazhuar më tepër në këtë aspekt. Nuk mjaftojnë vetëm politikat e mira dhe dokumentet voluminoze, por së pari duhen veprime të guximshme, të matshme, në terren. Ka plot biznese që u shmangen taksave, bëjnë kontrabandë, ndërsa në vend që të përballen me forcën e ligjit, pushteti ua fal edhe borxhet e papaguara. Duke motivuar përgjegjësit për evazionin e lartë fiskal, shteti diskriminon bizneset që janë të rregullta në kryerjen e detyrimeve tatimore. Një qeveri e përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit vitin në vijim do ta kishte shpallur vit të luftës kundër informalitetit, në mënyrë që të parandalohet ky krim i madh ekonomik. Është më se e qartë se nuk mund të ketë ekonomi informale në këtë nivel alarmant pa pasur mbështetje nga oligarkët e pushtetit, prandaj drejtësia do të duhej të vepronte sa më parë.

(Kosova Sot)

4 orë e 37 minuta më parë