< Editoriali: Balotazhi i pazareve - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Balotazhi i pazareve

Editoriali: Balotazhi i pazareve

Në 19 komuna, 38 kandidatë sërish do t'i provojnë forcat, me shpresën se do të arrijnë ta sigurojnë mandatin katërvjeçar. Këtyre ditëve do të shohim luftë të ashpër politike, ballafaqim mes rivalëve, akuza e kundërakuza. Por, më së shumti do të dëgjojmë premtime enorme, të parealizueshme, të fryra, që synim të vetëm kanë ta bëjnë për vete me çdo kusht votuesin. Një taktikë e tillë, e njohur për politikanët tanë mashtrues, mund t'ju kthehet boomerang kandidatëve, prandaj më mirë është që ta frenojnë veten nga zotimet që as vetë nuk i besojnë, e lërë më t'i realizojnë nëse vijnë në pushtet. Qytetarët duhet të binden me punë dhe me ofertë serioze programore. Një rrezik që po e marrin përsipër kandidatët për kryetar komune, janë koalicionet para balotazhit, me të cilat pretendojnë se do ta shtojnë numrin e votave në raundin e dytë. Në ndonjë rast mund të ketë efekt pozitiv, por në ndonjë rast tjetër, si në shembullin e kryetarit të Prishtinës që synon mandatin e dytë, i cili bëri koalicion me një parti të dyshimtë, siç është AKR-ja e Pacollit, efekti mund të jetë negativ. Kur votuesi sheh se si po bëhen pazare mbi kurrizin e tij, natyrisht që te kutia e votimit pason ndëshkimi. Për këtë do të binden edhe vetë kandidatët, të cilët, të dehur nga ambicia për pushtet, me çdo kusht po bëjnë gjithfarë koalicionesh të panatyrshme dhe të dyshimta. Duke e ndarë pushtetin pa ua dhënë sovrani mbështetjen, partitë dhe kandidatët e tyre për kryetarë komune dëshmojnë se synojnë të qeverisin në mënyrë klienteliste, pa parime të shëndosha, por duke thelluar tenderomaninë, nepotizmin, militantizmin etj. Kjo fushatë e shkurtër do t'i ballafaqojë për herë të parë kandidatët kryesorë dhe kjo është një mundësi e mirë, që të bëhen krahasimet se kush janë potencialisht më të mirët. Qytetarët janë ata që vendosin, ndërsa pazaret e pista meritojnë ndëshkim, bashkë me kandidatët mashtrues e të inkriminuar.

(Kosova Sot)

4 orë e 29 minuta më parë