Editoriali: Shuplaka amerikane për kufirin

  • 15 November 2017 - 17:03
Editoriali: Shuplaka amerikane për kufirin

Një ditë pas raportimit në Kuvend të komisionit të ri për kufirin, Ambasada Amerikane ka shprehur zhgënjimin e saj me përmbajtjen "çorientuese, të pabazuar dhe të gabueshme" të pohimeve të ekspertëve kosovarë. Qeveria aktuale ka heshtur në lidhje me këtë zhvillim të ri rreth njërës prej çështjeve më të ndjeshme gjatë tri viteve të fundit, e cila ka shërbyer si pretekst për rrëzimin e koalicionit PDK-LDK dhe i hapi rrugën përforcimit të "krahut të luftës" në pushtet. SHBA-ja nuk kishte shprehur ndonjë keqardhje për rënien e qeverisë 'Mustafa', e cila gjithashtu u tregua e paftë për ta proceduar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Por, a do të jetë i aftë ekzekutivi i sotëm, që mbahet në pushtet me 61 vota, për të shtyrë përpara një temë të rëndë, e cila ka ndarë në dysh vetë partnerët e koalicionit?! Kur je në opozitë ndjekja e një kauze mund të duket e drejtë, kur sjell edhe përfitime politike dhe ishte pikërisht rasti me Demarkacionin. Por, tash, kur një pjesë e kundërshtarëve të ashpër të marrëveshjes së nënshkruar prej presidentit aktual janë në krye të shtetit, vështirë të dihet se si do të reagojnë, sidomos pas "shuplakës amerikane". Kjo qeveri dhe ky Kuvend duken të pafuqishëm që ta zhbllokojnë Demarkacionin, që qartazi po përdoret si mjet politik, por aspak nuk po adresohet ashtu si do të duhej nga një pushtet i përgjegjshëm. Sigurisht, askush nuk dëshiron të humbasë tokë, por komisioni i ri, nëse nuk e argumenton bindshëm kauzën e dikurshme opozitare, do ta rrënonte vetë Qeverinë. Kosova ka mbetur vendi i vetëm që nuk përfiton liberalizim vizash për shkak të dështimit me Demarkacionin dhe është e pafalshme për tërë klasën politike që nuk arrin të gjejë një konsensus, për ta përmbyllur më në fund këtë çështje. Nëse kundërshtarët e Demarkacionit në pushtet do t'i thonë prapë "Jo" SHBA-së, atëherë le ta bëjnë publik qëndrimin e tyre!

(Kosova Sot)