Editoriali: Kompensimi i vonuar dhe drejtësia e dështuar

  • 16 November 2017 - 16:49
Editoriali: Kompensimi i vonuar dhe drejtësia e dështuar

18 vjet pas përfundimit të luftës, Qeveria ka vendosur të ndajë pensione në vlerë 230 euro për viktimat e dhunës seksuale. Ky është një lajm i vonuar, por i mirëseardhur, edhe pse për gati dy dekada, jeta e atyre që e pësuan për Republikën e Kosovës ka qenë një ferr i vërtetë. Të refuzuar nga familjarët, të stigmatizuar nga shoqëria, të pambrojtura nga shteti, viktimat, strehën e vetme e kanë gjetur te organizatat e ndryshme të shoqërisë civile. Por, këto të fundit nuk kanë pasur kapacitete që t'u vijnë në ndihmë të gjithave. Shifra të ndryshme kanë qarkulluar, sa u përket grave e vajzave të përdhunuara nga ushtarët e paramilitarët serbë, ndërsa verifikimi i këtyre rasteve pritet të japë një pasqyrë më të qartë. Kjo është një plagë e hapur e Kosovës, ndërsa vetëm kompensimi financiar për dëmin e jashtëzakonshëm fizik, shpirtëror, është i pamjaftueshëm. Qeveria duhet ta drejtojë gishtin e akuzës aty ku duhet, drejt Beogradit, që mbron kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre. Askush nuk u dënua për këto krime të rënda kundër njerëzimit, për dhunime monstruoze, të dirigjuara nga regjimi represiv e gjenocidal i Serbisë. Asnjëherë autoritetet serbe nuk kërkuan falje për dhunën e paparë dhe dhimbjen e madhe që ua shkaktuan njerëzve të vendit tonë. Drejtësia nuk veproi kurrë dhe ky është një dështim i pafalshëm. Përgjegjësi duhet të mbajnë edhe qeveritë tona, të gjitha pa përjashtim, sepse me vetëdije të plotë bënë kompromis pas kompromisi me ishbashkëpunëtorët e kasapit të Ballkanit Slobodan Milosheviq, ndërsa e injoruan plagën e hapur të popullit tonë. Serbia duhet të përgjigjet jo vetëm për dhunën seksuale, por edhe për krimet e tjera, për dëmet miliardëshe që ua bëri shqiptarëve të Kosovës, duke ua djegur shtëpitë dhe bizneset, duke i dëbuar nga vatrat e tyre, duke i plaçkitur. Pa e vënë drejtësinë në vend, nuk do të ketë kurrë qetësi dhe normalizim raportesh mes Serbisë dhe Kosovës. Këtë duhet ta dinë mirë pushtetarët tanë, që vrapojnë në takimet e Brukselit më tepër të gëzuar për mëditjet që marrin dhe qejfet që bëjnë sesa të përgjegjshëm për peshën e procesit dhe përfaqësimin e dinjitetshëm të Kosovës.

(Kosova Sot)