Editoriali: Punoni për qytetarët, jo për oligarkët

  • 20 November 2017 - 17:14
Editoriali: Punoni për qytetarët, jo për oligarkët

Dalja e ulët në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, në 19 komuna, e zbeh legjitimitetin e këtyre rezultateve. Me më pak se gjysmën e votuesve, duke llogaritur se një përqindje të lartë e kanë marrë rivalët që humbën, kryetarët e sapozgjedhur nuk mund të mburren se e kanë mbështetjen e gjerë popullore. Por, secili prej tyre duhet t'i shtrohet punës, jo vetëm për të përmbushur premtimet, por në rend të parë detyrimet e tyre ligjore ndaj qytetarëve dhe projekteve e nevojave të tyre legjitime. Të gjithë ata që marrin mandatin për të qeverisur në komunat e tyre janë të obliguar, sipas ligjit, që të udhëheqin në mënyrë të drejtë dhe transparente, gjithnjë në përputhje me ligjet në fuqi. Fatkeqësisht, do të jemi dëshmitarë, edhe pas këtyre zgjedhjeve, se qeverisja e mirë dhe transparente do të jetë një fjalë e harruar, për të cilën mund të flasim sërish pas katër vjetësh. Mënyra se si disa prej partive e fituan garën lokale është dekurajuese. Shumë pazare u bënë, ndërsa efektet e tyre do të shihen së shpejti. Marrëveshjet parazgjedhore nuk u bënë që të përmirësonin jetën e qytetarëve, por që të ndanin tortën e pushtetit, drejtoritë dhe tenderët, ose për ndarjen e "tepsisë së krimit". Për këto prapaskena të pista të politikës, votuesit do të kenë rast të binden muajt në vijim. Shembullin kryesor do ta kenë në kryeqytet, ku klani që keqqeverisi katër vjet në partneritet me partinë e pazareve të forta për pushtet do ta zhysë edhe më tepër Prishtinën në krim të organizuar. Oligarkët do ta kenë më të lehtë ta kontrollojnë kryeqendrën dhe të realizojnë interesat e tyre, duke shkelur kështu interesin publik. Po kush pyet sot në politikën kosovare për publikun? Ky i fundit shfrytëzohet sa herë ka fushata, zgjedhje, e pastaj injorohet, përç- mohet. Problemi kryesor është se, pavarë- sisht që partitë kanë filluar të mbushen mend e të kandidojnë njerëz me vlera, ato nuk po arrijnë ta ndryshojnë fytyrën e tyre hipokrite. Ende asnjëra prej këtyre partive nuk ka arritur të krijojë një model të qëndrueshëm qeverisjeje, pa korrupsion, tenderomani, nepotizëm dhe klientelizëm. Për sa kohë që kryetarët janë në shërbim të oligarkëve të politikës dhe të biznesit, ky popull do të vuajë.

(Kosova Sot)