Editoriali: Me politikanë milionerë nuk luftohet krimi

  • 22 November 2017 - 17:24
Editoriali: Me politikanë milionerë nuk luftohet krimi

Kryeministri i Shqipërisë, përmes një letre, u kërkoi të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian ndihmë në luftimin e bandave kriminale, që drejtojnë trafiqet e drogës, prostitucionit dhe aktivitetet e tjera joligjore. Kjo thirrje e Edi Ramës vjen në një kohë kur shteti shqiptar, si kandidat për anëtarësim në BE, po përballet me presion të lartë, për shkak të narkotrafiqeve që kanë implikuar edhe zyrtarë të lartë të shtetit. Në mediet perëndimore, Shqipëria ka filluar të portretizohet si një "Kolumbi" e Ballkanit dhe për aspiratat euroatlantike të shqiptarëve, përkeqësimi i imazhit shtetëror ka pasoja të rënda ekonomike dhe politike. Shkëputja nga bota e krimit, duket të jetë mision i vështirë për pushtetin, saqë edhe vetë kryeministri aktual është detyruar të kërkojë ndihmën e evropianëve, duke mos i zënë besë shumë drejtësisë. Vetting-u sapo ka filluar, por gjykatat dhe prokuroritë akuzohen se punojnë me direktiva politike dhe korrupsion. Por, çka mund të presë Shqipëria nga BE-ja? Mjafton të shohin situatën në Kosovë, ku misioni i Bashkimit Evropian po tregohet i pafuqishëm për të goditur me forcën e ligjit bandat e krimit, pavarë- sisht lidhjeve të rrjeteve kriminale. Shpërthimi i akuzave brenda vetë EULEXit është dëshmi e një situate të rëndë dhe aspak shpresëdhënëse për sundimin e ligjit. Ndihmat nga jashtë janë gjithnjë të mirëseardhura, por edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, duhet të vetëdijesohen të gjithë, se zbatimin e ligjit, nëse ka vullnet politik, njerëzor, e bëjnë vetë të zgjedhurit në pozitat zyrtare. Nuk mund të presim që BE-ja t'i gozhdojë banditët, mafio-politikanët, ndërsa ne të rrimë duarkryq si spektatorë. Nëse Rama i shkruan letër BEsë, kjo nuk është e sigurt a e bën prej hallit, sepse vërtet kërkon arrestimin e bandave apo është thjesht si justifikim për dështimin e shtetit. Sidoqoftë, pa e pastruar oborrin këndej dhe andej kufirit, perspektiva evropiane mbetet e mjegulluar. Për sa kohë shqiptarët do të udhëhiqen nga politikanët që u bënë milionerë nga hiçi, kjo luftë kundër krimit dhe trafiqeve është e dështuar.

(Kosova Sot)