Editoriali: Politikanët po e rrënojnë shpresën

  • 25 November 2017 - 17:08
Editoriali: Politikanët po e rrënojnë shpresën

Pasojat e kësaj politike të papërgjegjshme do t'i vuajnë gjenerata të tëra. Për brezin aktual, më keq nuk ka ku të shkojë. Sot, nuk gjen njeri, qoftë edhe vetë këta që janë në pushtet e të afërmit, miqtë, klientela e tyre, që të pohojë se situata është e mirë. Edhe ata e dinë, se më poshtë nuk mund të bjerë ky vend, sesa që e kanë katandisur oligarkët e politikës dhe mafio-oligarkët e biznesit të inkriminuar, por duke qenë se përfitimet e tyre janë enorme, atëherë edhe heshtin, nuk kanë arsye që të kundërshtojnë. Por, shumica e popullatës, tashmë është e vetëdijshme se sa gjendje e rëndë është në vend dhe fatkeqësisht mungojnë edhe alternativat dalëse nga kjo krizë e madhe. Zhvillimet e fundit tregojnë se kriza mund të pasohet nga një tjetër, e provokuar prej vetë pushtetarëve. Të frikësuar nga arrestimet e mundshme prej Gjykatës Speciale, pushtetarët kanë filluar të ankohen, të bojkotojnë seancat e Kuvendit, duke nxitur edhe një reagim të ambasadorit amerikan. Kjo neglizhencë në punën e Kuvendit, që deri tash nuk ka bërë asgjë fare, është fyese për votën e qytetarëve kosovarë. Ata që vetes i thonë përfaqë- sues të vullnetit të popullit, në fakt janë vetëm shërbëtorë e servilë të liderëve autoritarë të partive të tejkorruptuara, familjare dhe të inkriminuara deri në fyt. Deputetët marrin rroga disa herë më të larta se paga e një minatori, mësuesi, doktori, zjarrfikësi, polici, ndërsa nuk bëjnë asgjë. Ata shijojnë privilegje të pamerituara, kurse shumica e popullatës jeton në varfëri. Kosova sot thuajse nuk ka fare shtresë të mesme. Një grup mafio-oligarkësh kanë futur në dorë të gjitha pasuritë dhe buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë mbetet vetëm duke u ankuar, e izoluar dhe e nënshtruar, e paarsimuar dhe e sëmurë në këtë ambient të ndotur politik e ekonomik nga korrupsioni e krimi i organizuar. Është më se e pritshme që edhe kjo Qeveri "kineze" të jetë jetëshkurtër, sepse kështu nuk mund të durojë më qytetari i Kosovës. Me këta politikanë, pozitë e opozitë, nuk ka të ardhme, nuk ka më shpresë për ndryshime!

(Kosova Sot)