Editoriali: Drama e pasbalotazhit nuk ka përfunduar!

  • 27 November 2017 - 17:55
Editoriali: Drama e pasbalotazhit nuk ka përfunduar!

Drama e numërimit të votave pritet të përmbyllet me shpalljen e rezultateve zyrtare nga KQZ-ja, pas vendimeve të të dy niveleve të gjyqësorit, të cilat nxitën zemërime dhe entuziazëm në kampet respektive. Partitë edhe një herë dëshmuan se nuk janë në gjendje të respektojnë mekanizmat e drejtësisë, edhe pse janë vetë fajtore pse e kemi këtë nivel të mjerë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Gjithsesi, shembulli që duhet të jepet nga politika është respektimi i shtetit ligjor, por jo gjithnjë po ndodh kështu. Por, t'i kthehemi rezultatit tepër të ngushtë, sidomos në Prishtinë, ku ende nuk ka asgjë zyrtare sidoqoftë. Nga përvoja edhe në vendet me demokraci të zhvilluar, në rastet kur dallimi mes kandidatëve është në numër të vogël votash, rinumërimi është kërkesë e natyrshme dhe duhet të jetë e akceptueshme për të gjithë, për të garantuar se nuk ka ndodhur ndonjë gabim gjatë procesit. Pra, edhe pse aktivistët e VV-së, të nxitur nga shefat e tyre, nisën festën para kohe, fitorja nuk është zyrtarizuar, ndërsa LDK-ja dhe PDK-ja kanë kërkuar rinumërim të votave dhe jo rivotim. Edhe nëse në fund zyrtarizohet, fitorja e Shpend Ahmetit do të ishte fitore si e Pirros. Kryeqyteti, me votën masive dhe të fuqishme kundër, i tregoi Shpend Ahmetit se është i zhgënjyer keq me mospunën e tij. Katër vjet ishin një dështim spektakolar, që kurrsesi nuk mund të fshihet me kiflet në shkolla dhe disa përmirësime kozmetike në mjekësinë familjare. Prishtina është simbol i rrëmujës, paligjshmërive, ndotjes, korrupsionit të pandalshëm të lejeve të ndërtimit, baltës, pluhurit, plehrave dhe propagandës. Me këtë të fundit VV-ja arriti sërish të manipulojë e të mashtrojë një pjesë të votuesve, ndërsa vulën aleancës mafio-biznesore, Ahmeti&CO, ia vunë me paktin e fshehtë që e bënë me AKRnë. Nëse konfirmohet mandati i dytë i kryetarit, që u kap në flagrancë me të inkriminuarit në jahtin e mafio-oligarkëve Devolli, është i varur nga pazaret e pista me pronën publike dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare, prandaj, nëse ka drejtësi e prokurori në këtë vend, në javët e muajt e ardhshëm do të ketë shumë punë për ta. Pushteti është shndërruar në biznes të tejinkriminuar dhe këtë aksiomë e ka shndërruar në lajtmotiv të saj të fuqishëm edhe Lëvizja "Vetëvendosje". Duke manipuluar qytetarët e varfër e të pashpresë, e duke shfrytëzuar tejkonsumimin e subjekteve të tjera në pushtet, VV-ja u shndërrua në kërcënimin e radhës për demokracinë tonë të brishtë. Andaj, shkaku i paralajmërimeve të ankesave, që do të ndodhin nga LDK-ja menjëherë sot, pas shpalljes së rezultateve zyrtare, do të jenë PZAP-i dhe Gjykata Supreme që do të gjykojnë përfundimisht epilogun e fitoreve në Prishtinë dhe në Prizren.

(Kosova Sot)