Editoriali: Milionerët e politikës në Republikën e të varfërve

  • 01 December 2017 - 17:56
Editoriali: Milionerët e politikës në Republikën e të varfërve

Nuk kalon ditë pa dëgjuar për lajmet nga bota pasurore e njerëzve të veshur me pushtet. Tashmë është bërë rutinë të dëgjojmë se si një zyrtar i lartë ka qindramijëra euro kursime në bankë, një tjetër ka vetura e shtëpi luksoze, një deputet ka disa banesa të shtrenjta, dikush që jeton me rrogë nëpunësi ka aksione me vlerë në biznese etj., etj. Pjesa dërrmuese e politikanëve, qartazi, pushtetin e kanë shndërruar në prodhues eurosh për xhepin e tyre. Ata i mashtrojnë votuesit, shpërdorojnë pozitën dhe rrisin fitimet e paligjshme. Mekanizmat që i kanë krijuar, për gjoja luftimin e korrupsionit, janë të pafuqishëm për të vepruar në zbardhjen e pasurisë së fituar me vepër penale. Agjencia Kundër Korrupsionit më tepër shërben si një institucion edukativ dhe propagandues, prokuroritë dhe gjykatat vihen në lëvizje vetëm kur ka "porosi" nga lart. Si rrjedhojë, keqbërësit e pushtetit i palosin milionat, ndërsa varfëria thellohet në anën tjetër. Shumica e qytetarëve sot janë të pakënaqur me jetesën në Kosovë dhe këtë e dëshmojnë të gjitha anketimet e opinionit publik. Formalisht jemi Republikë Parlamentare dhe vend demokratik, por praktikisht kemi një regjim autoritar dhe qeverisemi nga oligarkët. Një grup i vogël njerëzish, liderë të pasuruar dhe me fuqi politike, arrijnë të kontrollojnë gjithçka. Institucionet publike janë në dorën e tyre, mediet zotërohen prej tyre. Duke vendosur monopol në secilin sektor, demokracia është në rrezik, kurse shoqëria e izoluar kurrë nuk ka përjetuar pas luftës periudhë më të rëndë. Shteti është shkrehur, ndërsa zhvatja që i bëhet prej politikës është e turpshme. Emërimet megallomane të zyrtarëve të lartë qeveritarë, të cilët shpërblehen, por nuk bëjnë asnjë punë të hairit, janë ilustrimi më i freskët i këtij abuzimi sistematik të qeveritarëve tanë. Aktualisht, shpresa është e vakët për ndonjë ndryshim, ndërsa, çka është më e keqja, rezistenca qytetare ndaj pushtetit abuziv është më dëshpëruese se kurrë. Pa u ngritur kundër së keqes, Kosova mund të degradohet edhe më rëndë në javët e muajt e ardhshëm!

(Kosova Sot)