Editoriali: Fjalimi hipokrit i Presidentit

  • 07 December 2017 - 17:42
Editoriali: Fjalimi hipokrit i Presidentit

Nuk është hera e parë kohëve të fundit që kreu i Republikës shfaqet i frustruar, sidomos me Gjykatën Speciale, të cilën vetë ua imponoi deputetëve për ta votuar me çdo kusht, edhe pse të akuzuarit do të jenë ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një performancë zemërimi, presidenti ynë e bëri edhe përpara pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, duke shigjetuar veçmas misionet ndërkombëtare. Të mira apo të këqija, po të mos ishin ato, mund ta paramendojnë se si do të ishte katandisur ky vend! Njeriu më i pushtetshëm në Kosovën e pasluftës, gjithnjë ka vrapuar të marrë merita e të krenohet me arritjet nën qeverisjen e tij, por kurrë nuk ka pranuar të japë llogari për dështimet, për degradimin, për kalbjen e shtetit nën atë që lirisht mund ta quajmë jo qeverisje, por sundim. Nuk ka qoftë edhe një sektor të vetëm në Kosovë që nuk vuan pasojat e një lidershipi autoritar, që arriti të fusë gati gjithçka nën kontrollin e tij. Me logjikën "përçaj e sundo", me vjedhjen industriale të votave, me blerjen e zgjedhjeve, me trafiqet e pozitave të larta, me kapjen kriminale të drejtësisë, i pari i vendit arriti t'ia zgjasë jetën sundimit të tij të kundërligjshëm. Si një makiavelist i pashoq, ish-kryetari i PDK-së deshi të personifikojë gjithçka me veten e tij, por gjithnjë duke harruar plagët e vjetra e duke hapur në të njëjtën kohë plagë të reja. Sot,shpresa është rrënuar dhe njerëzit duan të largohen, sepse e ardhmja e fëmijëve të tyre nuk është aspak e sigurt. E tashmja, po shihet! Në vend të konsolidimit të Republikës, si një vend demokratik dhe shtet i së drejtës, u instalua regjimi i rrezikshëm i mafio-oligarkëve të tejinkriminuar, pasojat e të cilit po i ndjejmë çdo ditë e më shumë. Pa u çliruar prej tyre, zor se do të gjejë qetësi Kosova dhe populli i saj liridashës e shtetformues. Presidenti nuk e ka hallin e popullit, por ka vetëm hallin e vet, dhe kjo është e qartë. Bashkësia ndërkombëtare është partnere dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës, por përgjegjësinë për dështimet e lidershipit kosovar duhet t'i kërkojmë te këta që na udhëheqin.

(Kosova Sot)