Editoriali: "Kosova e Re" po ndërtohet, por a do të shtrenjtohet rryma?

  • 14 December 2017 - 16:59
Editoriali:

Pas 12 vjetësh, duket se ndërtimi i një Termocentrali të ri në Kosovë do të bëhet realitet. Qeveria njoftoi dje se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja me kompaninë amerikanë që është fituese e këtij projekti, me kosto mbi një miliard euro. Për shkak të paaftësisë së qeverive kosovare, ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike u zvarrit, ndërsa u tkurrën edhe përmasat e TEC-it të ri. Në vitin 2005 kishin filluar përgatitjet për ndërtimin e këtij termocentrali, me një kapacitet gjenerues fillimisht prej 2,100 megavatësh. Por, pas ndryshimeve që janë bërë ndër vite, ky termocentral pritet që të ndërtohet me kapacitet gjenerues prej vetëm 500 megavatësh. Edhe pse dështimet ishin të njëpasnjëshme, askush nuk e mori asnjëherë përgjegjësinë për shtyrjen e pafundme të realizimit të këtij projekti. Njoftimi qeveritar, megjithatë, tregon vetëm majën e ajsbergut energjetik, sepse përmbajtja e kontratës, e cila është diskutuar gjatë, mund të jetë jo fort e këndshme për konsumatorët. Autoritetet kosovare duhet të tregojnë nëse ndërtimi i TEC-it "Kosova e Re" do të ketë efekt edhe në çmimin e kilovatëve që paguajnë aktualisht qytetarët. Më herët ishte raportuar se pas nënshkrimit të kontratës, energjia mund të shtrenjtohet, por organet shtetërore duhet ta qartësojnë një gjë të tillë. Jemi mësuar tashmë që të "befasohemi" në fund të muajit nga faturat e KEDS-it që mbërrijnë në shtëpitë e secilit. Ashtu siç kemi paguar deri tash koston e energjisë së shpenzuar në pjesën veriore dhe humbjet komerciale njëkohësisht, nuk duhet të çuditemi, që pasi të ndërtohet TEC-i i ri të paguajmë gjithashtu koston miliardëshe të kredive të mëdha, me të cilat financohet ndërtimi i këtij termocentrali. Kosova, edhe pse fle mbi pasuri të mëdha thëngjilli, vazhdon të jetë jostabile në furnizimin me energji elektrike. Kjo situatë, sigurisht që i ka konvenuar oligarkëve kosovarë, të cilët kanë përfituar nga kriza në kurriz të taksapaguesve. Blloqet e vjetra kanë gëlltitur miliarda, duke e ndotur edhe ambientin, e askush nuk do të japë llogari ndonjëherë.

(Kosova Sot)