Editoriali: Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar

  • 15 December 2017 - 17:05
Editoriali: Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar

Në vend që të ishin në sallën e Kuvendit, për të diskutuar në lidhje me situatën alarmante në sistemin e drejtësisë, përfaqësuesit e popullit e injoruan votimin e raportit të Avokatit të Popullit, duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm. Deputetët na treguan edhe në seancën e djeshme, se për ta është me rëndësi të marrin pagat e majme të pamerituara, të shfrytëzojnë karrigen e Parlamentit për nepotizëm, korrupsion, zhvatje, sesa ta ngrenë zërin për qytetarët e pambrojtur. Afati mesatar për vendosje nga ana e gjyqësorit është 8 vjet e gjysmë, në rastet që qytetarët i kanë ngritur para këtij sistemi. Pra, duhet të presësh gati një dekadë, për të marrë drejtësi, ndërsa kjo nuk është aspak e sigurt as pas një zvarritje kaq të gjatë. Nëse nuk mund ta blesh drejtësinë, nëse nuk ke krah politik të fortë që të mbron, atëherë si qytetar i rëndomtë je tërësisht pa kurrfarë garancie se gjykata do të të japë të drejtë në fund. Shqetësuese është edhe fakti se vetëm gjatë një viti mbi 60 mijë aktgjykime kanë mbetur të pazbatuara. Dëmi milionësh bie mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës. Në fund të vitit të kaluar, të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës rezultojnë 417 mijë lëndë. Kjo është drejtësia e këtij vendi! Deputetët kosovarë në vend që të angazhohen për reformën e sistemit, në ngritjen e performancës, në depolitizimin e prokurorive dhe gjykatave, ia kthejnë shpinën Kuvendit dhe atyre që i kanë zgjedhur, për ta thelluar edhe më shumë krizën e drejtësisë. Kësaj politike, në fakt, nuk i intereson aspak që të kemi prokurori të fortë, gjyqësi të pavarur, sepse klientët e parë do të ishin vetë ata, politikanët e korruptuar e të inkriminuar, të cilët zhvatin pasuritë publike, buxhetin e shtetit, keqpërdorin pozitën zyrtare dhe ende janë të paprekshëm nga ligji. Kuvendi po tregohet i pafuqishëm, që ta kthejë vëmendjen nga drejtësia, prandaj është e kotë që me këtë legjislaturë të presim VETTING, DEKRIMINALIZIM apo ligj ANTIMAFIA. 

(Kosova Sot)