Editoriali: Oligarkët e Kosovës në dorën e Serbisë!

  • 25 December 2017 - 16:52
Editoriali: Oligarkët e Kosovës në dorën e Serbisë!

Tentimpuçi i së premtes së kaluar nuk ishte goditje vetëm kundër Gjykatës Speciale apo thikë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky aksion i natës, nga nëntoka dhe mafiozët e politikës kosovare, ishte një grusht i fortë ndaj Republikës së Kosovës. E keqja në fakt nuk ka kaluar ende, edhe pse Kuvendi zyrtarisht ka shkuar në pushim dimëror (në të vërtetë, në pushim që nga fillimi kanë qenë). Ishkrerët e UÇK-së, sot pushtetarët kryesorë, të frikësuar nga arrestimet e mundshme, nuk do të heqin dorë lehtë nga tentative për të bllokuar veprimin e Dhomave të Specializuara. Por, sundimtarët e vendit e kanë një pengesë në realizimin e këtij qëllimi mizor për shtetësinë e Kosovës. Pa e ndryshuar Kushtetutën nuk e shfuqizojnë dot as Specialen dhe pa mbështetjen e Listës Serbe nuk mund ta miratojnë ndryshimin kushtetues. Pra, pa pëlqimin e Beogradit, as Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet. Serbia një interes mund ta ketë këtu, themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, një nivel i tretë pushteti, krejtësisht marrëveshje antikushtetuese e nënshkruar nga presidenti aktual në Bruksel. Duke e ditur se drejtësia ndërkombëtare, ndoshta edhe thjesht synon izolimin politik të oligarkëve të Kosovës, politika serbe mund të na "befasojë" në këtë rast. Serbia është përpjekur gjithnjë ta rrënojë shtetësinë e Kosovës, politikisht, ndërkombëtarisht, ekonomikisht e në çdo aspekt tjetër. Por, as përafërsisht nuk ka arritur ta dëmtojë vendin tonë, në krahasim me vetërrënimin që e bënë krerët e Republikës. Me një fjalë, Serbisë i intereson që mafia politike, që e udhëheq shtetin kosovar, të mos përfundojnë në Gjykatën Speciale, sepse me çlirimin e vendit do të hapej perspektiva zhvillimore dhe brenda një periudhe të shkurtër, Kosova do ta zinte hapin e vendeve në rajon, pse jo edhe t'i tejkalojmë. Prandaj, duke bërë sërish pazare të pista me oligarkët kosovarë, Serbia mund të arrijë të na lërë në agoni pa afat. Me këtë lidership, edhe për ata që i votuan, është e sigurt se veç ditë të mira ky popull nuk do të shohë kurrë!

(Kosova Sot)