Editoriali: Krishtlindje në Republikën e sunduar

  • 26 December 2017 - 17:19
Editoriali: Krishtlindje në Republikën e sunduar

Festa e Krishtlindjes kaloi në frymën e mesazheve të paqes dhe dashurisë, tolerancës dhe sakrificës, solidaritetit mes njerëzve dhe përkushtimit për një botë më të mirë. Si zakonisht, meshave kryesore, ceremonive, riteve fetare, iu bashkëngjiten edhe njerëzit e pushtetshëm, politikanët. Porositë e tyre janë të mbushura me fjalë të ngrohta, devotshmëri, përkujdesje, edhe pse në punën që bëjnë në institucione, ku janë të emëruar ose të zgjedhur, e dëshmojnë rregullisht të kundërtën. Shembulli më i freskët është vendimi skandaloz i Qeverisë për të dyfishuar pagat e kryeministrit, zëvendësve të tij si dhe për të rritur ndjeshëm rrogat e ministrave, zëvendësve të tyre që s'bëjnë asgjë. Nga buxheti i taksapaguesve kosovarë, një milion euro shkojnë brenda vitit vetëm për pagat e zëvendësministrave pa llogaritur këtu shpenzimet për shoferë, asistentë, këshilltarë…Qeveria, nga e cila më kot presim rritjen e mirëqenies, garantimin e barazisë sociale, është e vendosur ta bëjë të kundërtën, t'ia stërmbushë xhepat vetes dhe ta thellojë hendekun social. Për një vend si Kosova, me 40 për qind papunësi, me gjysmën e popullatës në varfëri, luksi i pushtetit që nuk ka të ndalur, është i papërballueshëm për shoqërinë e zhytur në mjerim të plotë. Është e qartë se kjo klasë politike e ka humbur rrugën në oborr, bashkë me arsyen, duke vepruar në kundërshtim me interesin publik. Një kryeministër që thotë se "m'u ka tekë me vepru, kështu apo ashtu", është paralajmërim për ditë të rënda për Republikën. Për fat të keq, në këto ditë festive ky lidership po dëshmon se është i shkëputur edhe nga besimi fetar, që mund t'i kishte ndihmuar, të reagojnë pak më ndryshe, të shfaqen më njerëzisht dhe jo siç janë duke bërë me një egërsi dhe arrogancë. Liderët aktualë në pushtet janë duke e bindur secilin se kur është në pyetje interesi i tyre personal, nuk ka rëndësi a shembet shteti, a izolohemi nga bota edhe më shumë. Një udhëheqësi e tillë nuk i duhet Kosovës, prandaj le të shpresojmë se të paktën Krishtlindjen e radhës gjërat do të ndryshojnë!

(Kosova Sot)