Editoriali: Beteja e sabotuar e antikorrupsionit

  • 27 December 2017 - 17:07
Editoriali: Beteja e sabotuar e antikorrupsionit

Atë që po e shohim çdo ditë e më shumë e pranoi dje edhe Aleksandër Lumezi, kryeprokurori i Shtetit, i cili konstatoi gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës se nuk janë punët mirë në luftën kundër korrupsionit. Organi i akuzës mund të servojë statistika të bollshme mashtruese për të justifikuar veten, por e vërteta është se të korruptuarit, me mbështetjen e prokurorëve e kryeprokurorëve, po ia hedhin drejtësisë, e sidomos ata që njihen si "peshqit e mëdhenj", të niveleve të larta të politikës dhe mafio-politikës në hije. Nuk është hera e parë që kryeprokurori i Shtetit e pranon publikisht se korrupsioni nuk është duke u luftuar sa e si duhet dhe mundet nga organet e drejtësisë, prandaj tanimë ka ardhur koha që nga deklaratat të kalohet në masa konkrete. Krimin e organizuar dhe korrupsionin janë të thirrur e të detyruar që t'i luftojnë prokurorët, policët hetues, gjyqtarët, por kjo luftë deri tani rezulton të jetë një disfatë tepër e turpshme. Është momenti që të flitet me emra dhe mbiemra, se kush po e saboton betejën antikorrupsion në radhët e sistemit të drejtë- sisë. Nga ana tjetër, KPK-ja duhet të rishikojë politikën kadrovike, sepse të gjithë ata që janë zgjedhur kryeprokurorë në PSRK dhe PTHK, por që nuk kanë pasur rezultate në punën e tyre, e që i bie të jenë shumica e kryeprokurorëve aktualë, duhet t'ua lëshojnë vendin të tjerëve, që kanë vullnetin, kurajën e guximin për të luftuar me ligj krimin e organizuar në vend. Prokuroria shihet qartë se me njërën këmbë është me politikën e korruptuar dhe në krim të organizuar, e me tjetrën bën gjumin mbi dosjet e krimit në zyrat e veta. Pa u depolitizuar plotësisht ky institucion i rëndësishëm për shtetin dhe pa u hapur rrugën prokurorëve të ndershëm, me etikë e profesionistë, kurajozë e të guximshëm, është vështirë që të vihen me shpatulla për muri zyrtarët e lartë të korruptuar, që po e shkatërrojnë shtetin e Kosovës. Prokuroria duhet të pastrojë radhët e veta së pari. Duhet të adresohen në mënyrë tepër serioze e precize se kush po i lë në sirtarë kallëzimet penale që bëjnë fjalë për abuzime dhe krime të rënda ekonomike shumëmilionëshe. Po të trajtoheshin me kohë, do të kishte të akuzuar të profilit të lartë në bankën e të akuzuarve, por kjo gjë nuk është duke ndodhur, falë mbështetjes që po u bën prokuroria. Të gjithë kryeprokurorët e dështuar, të politizuar e të korruptuar të PSRK dhe të PTH dhe të gjithë prokurorët e manipuluar përmes korrupsionit kudo, që nga prokuroritë themelore dhe deri te prokurorët në Prokurorinë e Shtetit, duhet të shkarkohen dhe t'u hapin rrugën atyre që janë në gjendje t'i luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në mbrojtje të ligjit, Kushtetutës, shtetit. Lumezi duhet jo vetëm ta mbështesë frymën e re në vetëpastrimin brenda llojit të organit të akuzës, por duhet të fillojë t'i propozojë KPK-së sidomos sa më parë shkarkimin e zëvendësimin "pa pardon" të kryeprokurorëve dhe prokurorëve të dështuar, si nevojë të pashmangshme në shpëtimin e shtetit nga krimi dhe korrupsioni. 

(Kosova Sot)