Editoriali:Tre musketierët e Kosovës

  • 30 December 2017 - 17:18
Editoriali:Tre musketierët e Kosovës

Në fund të çdo viti, zakonisht themi se më keq nuk ka ku shkon, por 2017-ta me siguri e ka bindur edhe më optimistin e këtij vendi, se ka zi e më zi. Ky popull ka hequr shumë, ka kaluar sfida të jashtëzakonshme, ka mbijetuar periudha kur vihej në pikëpyetje ekzistenca, por ia ka dalë gjithnjë. Gati dy dekada pas luftës, askush nuk e kishte menduar se sërish, kryefjala e ditës do të ishte MBIJETESA. Viti që po lëmë pas na mbushi me zhgënjim e vrer, na shtoi brengat e na dëshpëroi. Në rrafshin individual, natyrisht që dikush ka pasur edhe suksese, por në aspektin shoqëror, shtetëror, kombëtar, pësuam goditje të rënda. Qytetari kosovar duhet të jetë bindur përfundimisht se me këtë klasë politike nuk mund të ecim përpara. Papunësia është rritur, varfëria u thellua, sektori publik vazhdon të degradohet, arsimi dhe shëndetësia kanë rënë nën çdo nivel, ndërmarrjet publike po falimentojnë. Çdo gjë shtetërore dhe publike është gati jofunksionale. Në kulmin e këtij mjerimi institucional, politikanët e babëzitur nuk janë në gjendje të rrisin pagën minimale që është 130 euro, por vetes ia dyfishojnë të ardhurat, duke u bërë kështu më të paguarit në rajon. Një ushtri ministrash, zëvendësministrash, këshilltarësh, asistentësh qeveritarë e përbëjnë kabinetin më të madh në historinë e Kosovës, duke ia kaluar edhe Kinës miliardëshe. Lidershipi në pushtet është bërë i paparashikueshëm në veprimet që ka ndërmarrë së fundmi, duke rrezikuar edhe marrëdhëniet e mira me SHBA-në dhe BE-në. Tre musketierët e Kosovës-presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri, të trembur se mund të përfundojnë në bankën e të akuzuarve, kanë vendosur ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, të cilën vetë e pranuan, pasi drejtësia e kapur prej tyre dështoi në hetimin e gjykimin e krimeve të luftës dhe pas luftës. Ish-krerët e UÇK-së mund të kenë meritat e tyre për luftën çlirimtare, megjithatë, mëkatet e pasluftës nuk mund t’u falen. Me sundimin e tyre e kanë bërë jetën e padurueshme në Kosovë dhe njerëzit nuk kanë faj që mendojnë të ikin një orë e më parë. Sidoqoftë, ata që duhet të largohen nga pushteti janë pikërisht oligarkët që e kanë sjellë vendin buzë greminës. Qoftë 2018-ta viti i drejtësisë dhe llogaridhënies. Gëzuar! Dhe mos qëlloni, edhe pse kryeministri thotë se është “traditë”…

(Kosova Sot)