Editoriali: Padëgjueshmëria që po na shpie drejt anarkisë

  • 04 January 2018 - 17:09
Editoriali: Padëgjueshmëria që po na shpie drejt anarkisë

Në një vend normal demokratik ku sundon shteti i së drejtës, vendimet e gjykatave nuk komentohen. Secili ndjek instancat ligjore, për të realizuar të drejtën e tij, nëse konsideron se është ballafaquar me shkelje dhe diskriminim gjatë një procesi të caktuar. Por, natyrisht ky nuk është rasti i Kosovës. Republika jonë, që ka miratuar ligje dhe një Kushtetutë moderne, demokratike, që garanton pavarësinë e tri pushteteve, është shndërruar në një arenë përplasjesh jo vetëm politike. Politikanët kanë instaluar në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij modelin e reagimit të dhunshëm, për hir të kauzave të caktuara, kur ata pretendojnë se cenohet pavarësia dhe integriteti territorial, rrezikohet stabiliteti dhe paqja. Por, në raste të tilla, siç ka qenë hedhja e gazit lotsjellës në seancat parlamentare, akti konsiderohet si vepër penale. Përderisa deputetët nuk kanë imunitet, edhe pse janë në hapësirën e tyre të punës, rrjedhimisht sistemit të drejtësisë i është lënë në dorë që të shqiptojë edhe ndëshkime, siç ishte rasti i djeshëm për deputetët e VVsë. Të ngjashme duhet të pasojnë vendimet e gjykatës edhe për deputetët e tjerë që iu bashkuan kauzës opozitare kundër Demarkacionit dhe Asociacionit, dy marrëveshje që kanë rezultuar si të dëmshme, por që mund të procedohen për miratim. Si për ironi të fatit, ishkundërshtarë dhe ish gaz-hedhës mund të jenë edhe mbështetës të tyre! Megjithatë, problemi kryesor është te padëgjueshmëria politike, që ka nisur të merret si shembull edhe nga njerëzit e zakonshëm. Rreziku nga një padëgjueshmëri e përmasave të mëdha mund ta degradojë edhe më tepër vendin. Mosbindja ndaj ligjit, përdorimi i standardeve të dyfishta, diskriminimi, injorimi i shtetit ligjor, të gjitha këto do ta bënin Kosovën një shtet të anarkisë, ku askush nuk do të dëshironte të jetojnë më. Politika e mbrapshtë kosovare po e shtyn shoqërinë tonë drejt një qorrsokaku, prandaj është mirë të reflektojmë sa nuk është vonë!

(Kosova Sot)