Editoriali: Pajtimi kombëtar, për të shmangur anarkinë

  • 10 January 2018 - 16:58
Editoriali: Pajtimi kombëtar, për të shmangur anarkinë

Politikanët e mbrapshtë të Kosovës e kanë futur vendin në vitin 2018 me pikëpyetje të mëdha, në prag të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në vend që temat kryesore të ishin ekonomia, arsimi, shëndetësia, sporti, kultura, çdo ditë duhet të përballemi me fjalime, monologje, dialogje, repriza për Demarkacionin, Specialen, telashet e ndonjë partie etj. Kjo garniturë politike po na bind dita-ditës se interesi nacional është harruar, ndërsa në plan të parë është vetëm xhepi. Të gjitha të tjerat janë zhvendosje e vëmendjes në tema për të cilat, le të jemi të gjithë të sinqertë me njëri-tjetrin, nuk na pyet kush. Kështu për Demarkacionin është vendosur me Pakon e Ahtisarit se si do të caktohej vija kufitare ndërshtetërore me Malin e Zi dhe me shtetet e tjera fqinje. Për Gjykatën Speciale ka vendosur bashkësia ndërkombëtare, pa të cilën as shteti ynë sot nuk do të ekzistonte fare, prandaj edhe nuk mund ta zhbëjmë. Janë shumë çështje, për të cilat ne jemi vetë vendimmarrës, por pikërisht aty ku kemi kompetenca dhe mundësi zakonisht dështimi është rezultati që na pret. Partitë kosovare nuk janë aspak të vetëdijshme se në çfarë rreziku janë duke e futur vendin me veprimin dhe mosveprimin e tyre. Destabilizimi i Kosovës do të ishte një grusht i fortë për përpjekjet e përbashkëta që të jetojmë të lirë, si të gjitha kombet e tjera. Nëse subjektet kosovare vazhdojnë t'i fryjnë zjarrit, atëherë pashmangshëm do të zhytemi në një anarki si shtet e si shoqëri. Fatkeqësisht, janë disa liderë në pushtet ende, të cilët janë mësuar të funksionojnë e të manovrojnë përmes aventurave të tyre, në rrethana të rënda, ku përpiqen duke mashtruar, që të shfaqen si shpëtimtarët e vendit. Është emergjente arritja e një pajtimi kombëtar për t'u dhënë drejtim çështjeve jetike, e për ta kthyer vëmendjen nga zhvillimi që ka ngecur në secilin sektor. Partitë duhet të dëshmojnë se mund të sakrifikojnë pushtet dhe interesa për shtetin, nëse duan të na bindin se ende mund të japin ndonjë kontribut për Republikën. 

(Kosova Sot)