Editoriali: Aventurat financiare të qeverive kosovare - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Aventurat financiare të qeverive kosovare

Editoriali: Aventurat financiare të qeverive kosovare

Qeveria e di mirë se paga minimale në vlerë 170 euro është e paarsyeshme të mbetet në këtë nivel, sepse me kaq të ardhura nuk mund të quhet pagë, por njëfarë lëmoshe. Megjithatë, pasi anë- tarët e Këshillit Ekonomik Social vendosën të mbështesin rritjen e pagës minimale në vlerën 250 euro, ekzekutivit i ra ndërmend se pasojat financiare të një vendimi të tillë do të ishin katastrofike. Shpesh, qeveritë në Kosovë kanë ndërmarrë vendime të nxituara, duke rrezikuar stabilitetin financiar të vendit. Situata aktuale është mjaft delikate, sepse presioni social është shtuar tej mase. Në njërën anë kategoritë e ndryshme sociale, në anën tjetër sindikatat, ushtrojnë presion mbi Qeverinë, duke kërkuar më shumë fonde. Por, arka e shtetit është kjo që e kemi dhe ka kufizime, që nëse tejkalohen do të vihej në pikëpyetje qëndrueshmëria financiare e Republikës. Në rastin e pagës minimale, rritja e saj ndërlidhet me kategori sociale, siç janë veteranët e luftës, të cilëve, në bazë të ligjit, duhet t'u shtohen dhjetëra miliona euro. Një gjë e tillë do ta rëndonte menjëherë buxhetin e vendit. Kjo do të thotë që nëse nuk ka ndryshime ligjore, që mënjanojnë efektet financiare të rritjes së pagës minimale, atëherë do të duhej që të zvogëloheshin dukshëm investimet e planifikuara në arsim, në shëndetësi, infrastrukturë, sport, kulturë etj. Pra, Qeveria duhet urgjentisht të iniciojë ndryshimet ligjore përkatëse, duke shmangur ndërlidhjen e pagës minimale me pensionet e veteranëve, të cilat nuk preken, por mbeten në shkallën që janë. Natyrisht se një vendim i tillë do të hasë në kundërshtime dhe mund të nxisë edhe protesta të shoqatave, por këto të fundit nuk duhet të harrojnë se shteti nuk është vetëm në dispozicionin e tyre. Qeveria duhet të tregohet e kujdesshme dhe të nxjerrë mësim nga vendimet e nxituara që mund ta zhysin vendin në detyrime financiare, prej të cilave zor se mund të dalë për vite të tëra, me këtë zhvillim të dobët ekonomik që kemi aktualisht. 

(Kosova Sot)

22 orë e 8 minuta më parë
19/06/18