Editoriali: Një dekadë shtet, as një logo të hairit nuk e bëjmë dot

  • 15 January 2018 - 17:03
Editoriali: Një dekadë shtet, as një logo të hairit nuk e bëjmë dot

Përgatitjet për të shënuar dhjetëvjetorin e parë të shtetësisë po mbesin në hijen e skandalit të logove. E para rezultoi e ngjashme me logon e një agjencie turistike, ndërsa e dyta fare pak dallonte nga logoja e një partie në Maqedoni. Problemi nuk është se nuk kemi dizajnerë kreativë, që të bëjnë një logo për këtë ngjarje të rëndësishme, por te tradita e keqe institucionale në përzgjedhjen e më të mirëve. Kompanitë apo individët, që marrin punën nga shteti në këto raste, zakonisht përzgjidhen në baza klienteliste dhe korruptive. Për ditën e Shpalljes së Pavarësisë, shteti kishte ndarë para dhjetë vjetësh një milion euro dhe është e qartë se kostoja e asaj çka pamë dhe shijuam në qendër të kryeqytetit nuk vlente më shumë se disa mijëra euro. Një dekadë më pas, praktikat e mbrapshta shtetërore vazhdojnë, sepse në krye të shtetit janë strukturat dhe liderët e njëjtë, të cilët janë mësuar të zhvatin e të bëjnë keqpërdorime, qoftë edhe përmes një feste. Duke e instaluar një mentalitet të tillë, shumica e atyre që konkurrojnë mendojnë vetëm si të përfitojnë, duke harruar përgjegjësinë që ka puna e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për një vepër artistike, siç është një logo. Përgjegjësia në rastin konkret bie jo vetëm mbi Këshillin Organizativ që bëri përzgjedhjen, por edhe mbi fituesit, të cilët kanë abuzuar, kanë bërë plagjiaturë ose në rastin më të keq kanë mashtruar shtetin dhe opinionin publik. Kjo është e pafalshme. Skandali me logot është vetëm maja e ajsbergut të një shteti korruptiv që do të shënojë së shpejti dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Dhjetë vjet shtet jemi lodhur nga mashtrimet dhe abuzimet, nga shpërdorimi i pushtetit dhe korrupsioni. Është moment i fundit për të reflektuar si shoqëri dhe si institucione, si lidership dhe si parti politike. Republika në këtë përmbyllje të dekadës së parë duhet të nxjerrë mësim nga kjo histori kriminale, e të gjejë forca të shkë- putet prej saj, që të kthehet në binarët e normalitetit.

(Kosova Sot)