Editoriali: Sundimtarët e Kosovës u kanë dalë nga kontrolli ambasadave!

  • 18 January 2018 - 17:02
Editoriali: Sundimtarët e Kosovës u kanë dalë nga kontrolli ambasadave!

Ka pasur momente mospajtimi, fërkime e polemika të herëpashershme, por gjithnjë ka mbizotëruar fryma e kompromisit. Megjithatë, që prej fundvitit të kaluar, rrjedha dramatike e ngjarjeve rreth Dhomave të Posaçme ka nxjerrë në pah kryeneçësinë e liderëve kosovarë, të cilët nuk janë duke u zmbrapsur as para kërcënimeve direkte të ambasadorit amerikan në Kosovë. Nëse këtë rebelim do ta kishin treguar për të ngulur këmbë në periudha të caktuara, kur definohej procesi i pavarësimit, marrëveshjet me Serbinë e vendime të tjera me peshë politike e juridike, shumica me siguri do t'i kishin mbështetur. Por, tentativa e shfuqizimit të Speciales nga ata që vetë bënë presion për ta miratuar para dy vjetësh, nuk ngjan aspak me një përpjekje të sinqertë, për hir të Republikës. Edhe pse ndërkombëtarët vazhdojnë të bëjnë presion, deputetët do t'u binden vetëm urdhërdhënësve të tyre, atyre që prej një dekade, de fakto e de jure, janë sundimtarët e Kosovës. Ata vendosin për gjithçka në këtë vend. Nëse duan e rrë- zojnë nesër Qeverinë, provokojnë protesta e trazira apo eksode të reja drejt Perëndimit. Pa pëlqimin e oligarkëve të mbështetur nga po këta ndërkombëtarë, që sot kanë dalë kundër tyre, nuk ndodh as një punësim i thjeshtë, nuk jepet as një tender modest, nuk transmetohet as një informatë e "besueshme". Pasi i kapën të gjitha institucionet, agjencitë e kompanitë, bordet e menaxhmentet i caktuan sipas skemës mafioze, për të konsoliduar sundimin kriminal, ata nuk ka asgjë që i ndal. As Ambasada amerikane, që shpeshton thirrjet nga dita në ditë. Në njërën anë, ajo pjesë e elektoratit që i ka votuar ua ka mundësuar qeverisjen, ndërsa tërë shoqëria duhet të përballet me këtë çmenduri politike. Në anën tjetër, mbështetja e pakursyer e ambasadave për lidershipin që sot po i "tradhton" ua ka zgjatur jetën në pushtet sunduesve të vendit. Tani që kanë dalë jashtë kontrollit, askush nuk e di se kur do të marrë fund kjo marrëzi, ndërsa qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në këtë geto të lënë pas dore në Ballkan, ku mjafton një vrasje për ta rivënë për keq në ballinat e medieve botërore!

(Kosova Sot)