Editoriali: Pingpong i rrezikshëm me Specialen

  • 23 January 2018 - 17:31
Editoriali: Pingpong i rrezikshëm me Specialen

Kuvendi mund të mbështesë ose të kthejë mbrapsht çdo nismë të ekzekutivit, si organi më i lartë legjislativ që e zgjedh Qeverinë, por edhe mund ta shkarkojë atë. Pavarësisht nga pesha më e madhe politike dhe ligjore, një nismë të organizatave të veteranëve të luftës për shfuqizimin e Dhomave të Posaçme që i është adresuar legjislativit, duke marrë mbështetje nga 43 deputetë, ka përfunduar në zyrat e Qeverisë pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Ky pingpong Parlament-Qeveri tregon joseriozitetin e politikanëve që udhëheqin aktualisht vendin tonë. Kthimi i nismës në ekzekutiv, pasi është nënshkruar seanca për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, është një zmbrapsje e Kuvendit nga përgjegjësitë e tij politike, ligjore dhe kushtetuese. Është e qartë se pas ngritjes së toneve kritike nga ambasadat perëndimore, sidomos pas reagimit të javës së kaluar të ambasadorit të SHBAsë në Prishtinë, liderët e rebeluar kanë filluar të tërhiqen gradualisht. Por, ata po mundohen t'ia gjuajnë topin njëritjetrit, për të dalë të palarë në tërë këtë aventurë të rrezikshme, që duket se ende nuk ka përfunduar. Lidershipi kosovar duhet ta ketë të qartë, se tashmë asnjëri prej tyre nuk mund t'i lajë duart e të shfaqet si i pafajshëm në këto zhvillime, që po e rishfaqin Kosovën në titujt e medieve botërore, kuptohet për keq. Qëndrimet politike të secilit lider në raport me Gjykatën dihen, por është e pafalshme që në këtë fazë të ndjeshme, në të cilën ka hyrë shtetin ynë në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë, të vihen në pikëpyetje partneritetet dhe marrëdhëniet e rëndësishme që ka Republika e Kosovës me shtetet mike të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është e patolerueshme, që veprime të tilla joserioze të mos ndalen dhe udhëheqësit tanë të mos kenë as fijen më të vogël të reflektimit për këta hapa skandalozë. Specialja është një realitet që nuk zhbëhet, edhe nëse e shfuqizojnë Ligjin krerët e Kosovës.  

(Kosova Sot)