Editoriali: "Sherifët" e xhunglës kosovare

  • 27 January 2018 - 17:00
Editoriali:

Po të mos ishte koalicioni në fije të perit, ku një votë kundër do ta rrëzonte nga pushteti, zëvendëskryeministri që shkrepi armën në një aheng të organizuar për një zëvendëskryeministër tjetër të shpallur të pafajshëm për një aferë korruptive, mund edhe të ishte shkarkuar dje. Në rrethana normale, në një vend demokratik ku tradita që përfillet është ajo ligjore, e jo kanunore, zyrtari që kryen një vepër të tillë penale do të jepte dorëheqje të padiskutueshme, ndërsa drejtësia do ta kryente punën e vet. Duke e ditur se shkarkimi megjithatë nuk do të ndodhte, për shkak të konstelacionit parlamentar që e mban Qeverinë në këmbë, LDK-ja e kishte iniciuar një interpelancë, e cila prodhoi zhurmë, fyerje deri në përmendjen e orgjive seksuale, por kuptohet, nuk nxori asgjë në dritë. Partitë mund t'ia hedhin fajin njëratjetrës, se po mbështesin paligjshmërinë, megjithatë e vërteta është se secila prej tyre, pa përjashtim, janë mbrojtëse të paligjshmërive. Nuk ka subjekt në Kosovë që nuk e ka "sherifin" e vet në radhët e veta. Publiku i njeh mirë, e drejtësia skandaloze gjithnjë i amniston, edhe kur mund të kryejnë vepra të rënda penale! Parlamentarët tanë profanë duhet ta kuptojnë se për veprat penale, organet ligjore janë ato që hetojnë, ngrenë aktakuza, gjykojnë dhe marrin vendime dënimi ose lirimi. Kuvendi është aty, për ta garantuar pavarësinë e pushteteve, për të kërkuar barazi para ligjit dhe jo për t'i bërë bisht përgjegjësisë. Çështja kryesore nuk është nëse shkarkohet apo jo një zyrtar i lartë, që ka qëlluar me armë në një festë, siç ndodh rëndom në xhunglën tonë, por mosveprimi i Prokurorisë së Shtetit që i ka parë pamjet e veprës penale. Nëse do të bëhej fjalë për një qytetar të rëndomtë, me siguri që shteti do të vepronte me nxitim, që të tregojë forcën e ligjit. Kur është në pyetje pushtetari, atëherë gjërat ndryshojnë. Pra, për shumicën e vuajtur e të lodhur kërbaçin dhe arrogancën, e për pakicën që na qeveris kriminalisht, amnisti e përhershme. Sa e turpshme, kush e udhëheq këtë vend të shkretë!

(Kosova Sot)