Editoriali: Pushtetarët e ndotur nga krimi nuk e zvogëlojnë ndotjen, përkundrazi!

  • 29 January 2018 - 17:07
Editoriali: Pushtetarët e ndotur nga krimi nuk e zvogëlojnë ndotjen, përkundrazi!

Shifrat alarmante të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe rrethinë, javët e fundit, kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa fare të vobekta janë reagimet e institucioneve të papërgjegjshme të Kosovës, në nivelin qendror dhe atë lokal në kryeqytet. Të thuash se "ndajmë shqetësimin" për shkallën e rrezikshme të ndotjes nuk mjafton, është baras me talljen, sepse tashmë ky fakt është i njohur për të gjithë dhe ajri i papastër po përfundon në mushkëritë e secilit qytetare, edhe të atyre që janë në pushtet. Ndotja nuk do të zvogëlohet për sa kohë na udhëheqin njerëz që dinë vetëm të bëjnë propagandë gënjeshtare e të mashtrojnë qytetarët e nëpërkëmbur e të pashpresë fare. Kjo vlen si për kryeqytetin e udhëhequr nga klani i inkriminuar i Shpend Ahmetit me shokë, që mendjen e kanë si t'u shërbejnë mafio-oligarkëve të kriminalizuar në krim të organizuar, dhe se si t'i mbushin xhepat e kontot e tyre bankare, e deri te Qeveria aktuale, e cila as që e ka në listën e temave të saj ruajtjen e ambientit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Edhe një ministri që ekziston është tepër formale, drejtohet nga persona inkompetentë që "lyhen e ngjyhen" dhe as që e ka idenë se çfarë masash efektive duhet të ndërmerren që të zvogëlohet kjo ndotje e madhe në vendin tonë. Aq seriozisht merret mjedisi, saqë as një fond të veçantë nuk e kemi për çështjet ambientale. Çështjet ambientale injorohen edhe nga shoqëria civile tanimë e manipuluar dhe mediet, në masë të madhe mercenare të sistemit të degraduar, pasi ato merren kryesisht me tema politike, të cilat e kanë stërlodhur edhe publikun. Ndotjen po e shkaktojmë vetë, përmes ngrohjes me thëngjill, veturave që nuk kanë kurrfarë kufizimi në djegien e karburanteve që përdorin, ndërsa, si gjithmonë, termocentralet e vjetra dhe pa asnjë filtrim, veçmas B-ja, që punon pa filtra, po e shton shkallën e ndotjes buze katastrofës si asnjëherë me parë. Pushteti është dashur t'u krijojë kushte qytetarëve paraprakisht për të zëvendësuar ngrohjen me qymyr, të zgjerojë rrjetin e Termokosit dhe të detyrojë KEK-un të vendosë filtrat në blloqet që janë pa to. Nga ana tjetër, doganat duhet të zbatojnë ligjin, për të mos lejuar importin e asnjë automjeti që nuk përfill standardet evropiane sa u përket karburanteve që ndotin dhe ndotjes në përgjithësi. Por, me këta pushtetarë askush mos të presë zbatim të ligjit dhe as Kushtetutës së vendit! 

(Kosova Sot)