Editoriali: Darka e të pangopurve

  • 06 February 2018 - 17:01
Editoriali: Darka e të pangopurve

AKR-ja, e udhëhequr nga biznesmeni i dyshimtë për lidhjet e tij me ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, mund të ketë vetëm dy deputetë në Kuvend, por e ka në dorë Qeverinë e komandantëve. Behgjet Pacolli është i njohur për shkathtësitë e tij, që të fitojë projekte miliardëshe përmes rrugëve, me gjasë, korruptive. Edhe katapultimi i tij në krye të Republikës nuk ishte thjesht një manovër politike, por një "negociatë" vetëm me Hashim Thaçin, në rezidencën luksoze në Hajvali. Pikërisht në "Odën" e tij, Pacolli ua shtroi një darkë qeveritarëve kosovarë. Një "selfie" rasti bëri xhiron e ditës, duke ngjallur njëkohësisht shumë reagime negative në opinionin publik. Si për rastësi, pak orë më pas, presidenti u rikthye në vendin ku për dy mandate ishte kryeministër, për të lansuar idenë e tij të radhës. Nuk është fjala as për të ndërtuar shkolla e spitale, as për të hapur vende të reja pune e për të mbështetur prodhimin vendor, as për t'u ardhur në ndihmë të varfërve të shumtë të këtij vendi që mezi ngopen me bukë e nuk kanë strehë të mjaftueshme. Në kulmin e krizës dhe mjerimit shtetëror, në pikun e korrupsionit dhe padrejtësive, presidenti i zgjedhur në tymin e gazit lotsjellës dhe përleshjeve të policisë me opozitën, propozoi befasinë e radhës-Rezidencën për institucionet. Jo rastësisht një natë më herët, oligarku i rryer që i pëlqen homologët e tij rusë, Behgjet Pacolli, e kishte lyer mirë e mirë qerren qeveritare. Ai e di se pa votën e Qeverisë nuk kalon projekti që e ka ideuar si duket bashkë me klanet kriminale në pushtet, ku sigurisht grupi i Shpend Ahmetit nuk do të mbetet pa hise. Terrenin kurrë më mirë nuk e kanë pasur. Firmat ndërtimore i kanë të vetat, të familjarëve ose sekserëve. Pushtetin e kanë. Prandaj, edhe vendimin shumë shpejt do ta legalizojnë. Në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë, nuk ka më mirë se një dhuratë për vete-Një kompleks luksoz miliardësh, afër luksit të Pacollit. Në Kosovën me gjysmën e popullsisë në varfëri dhe të papunë, ku njerëzit mezi presin të ikin nga vend i pashpresë!

(Kosova Sot)