Editoriali: Kosova e sheh me teleskop Brukselin

  • 07 February 2018 - 17:06
Editoriali: Kosova e sheh me teleskop Brukselin

Raporti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është dekurajues për Kosovën në mënyrë të veçantë. Edhe pse për dialogun me Serbinë ka një afatizim për arritjen e një marrëveshjeje obligative, askund nuk jepen shpjegime nëse bëhet fjalë për një kushtëzim të qartë sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia, para anëtarësimit të pritshëm në Bashkimin Evropian. Edhe pse Beogradi ndjek një politikë të dyfishtë, duke thelluar raportet me Moskën e Brukselin njëkohësisht, në fund shpërblehet, kurse Prishtina zyrtare, edhe pse bën lëshime dhe kompromise të vazhdueshme në kurriz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës, sërish del e humbur. Ata që e pësojnë janë qytetarët e izoluar të Kosovës, të cilët kot shpresojnë se ky pushtet do të arrijë të zgjidhë çështjet pezull, si Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Për këtë të fundit, Brukseli jep dritën jeshile për anëtarësimin në BE, ndërsa Kosova edhe më tutje duhet të vuajë pasojat e mosratifikimit të marrëveshjes. Ka tre katër vjet, që politika e dështuar kosovare është duke na mbajtur në vendnumëro dhe kjo është e pafalshme në këtë përvjetor jubilar të pavarësisë së vendit. Qeveritarët që kanë marrë përgjegjësi për ta administruar pushtetin duhet ta kuptojnë se, përveç luksit dhe privilegjeve që ia shtojnë vetes çdo ditë, e kanë për detyrë të mendojnë edhe për fatin e qytetarëve të nëpërkëmbur. Nuk ka asnjë shpresë në horizont se kjo qeveri dhe kjo klasë politike do të arrijnë pajtim për temat e mëdha, të cilat e kanë bllokuar ecjen përpara të Republikës së Kosovës. Duket se pas këtij raporti të BE-së për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor e vetmja rrugë për të shprehur pakënaqësitë qoftë me pushtetarët, por edhe me burokratët në Bruksel, që shohin me standarde të dyfishta popujt në rajonin tonë, të organizohen protesta paqësore. Është e padrejtë dhe e padurueshme kjo zvarritje dhe ky izolim i qytetarëve të Kosovës!

(Kosova Sot)