Editoriali: Kuvendi të thërrasë një seancë për Strategjinë

  • 08 February 2018 - 17:10
Editoriali: Kuvendi të thërrasë një seancë për Strategjinë

Pas publikimit të Strategjisë së Bashkimit Evropian për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor,e cila rikthen vëmendjen në rajonin tonë, por duke lënë gati në hije Kosovën, politika kosovare ka reaguar në mënyrën më të zbehtë të mundshme. Zyrtarët tanë, deputetë, qeveritarë, diplomatë, janë mjaftuar kryesisht me disa postime në rrjetet sociale, për të shprehur zhgënjimin e tyre për "shuplakën" e pritshme nga Brukseli. Çuditërisht, as pozita, por as opozita, nuk kanë bërë ende asnjë kërkesë për një seancë të posaçme parlamentare, ku do të diskutohej pozicioni i Kosovës në raport me BE-në pas publikimit të kësaj Strategjie të rëndësishme. Parlamentarët kosovarë, varësisht kur u konvenon, thërrasin interpelanca, shpesh që rezultojnë në debate të kota, ndërsa kur duhet patjetër ta bëjnë një gjë të tillë, zgjedhin heshtjen në vend të veprimit. Kuvendi do të duhej me urgjencë të mblidhet dhe të diskutojë për dokumentin evropian, ku sërish është konstatuar se shteti është i kapur, mediet janë të kapura, biznesi është i kapur dhe oligarkët e kanë shtrirë ndikimin e tyre kudo, duke e vënë kështu Republikën në funksion të interesave private e kriminale. Politikanët tanë e kuptojnë rëndësinë që ka një debat i tillë, por asnjërës palë nuk i konvenon një diskutim i tillë, sepse do të duhej ta pranonin vetë përgjegjësinë për dështimet, sidomos të viteve të fundit. Opozita, që dje bllokoi Kuvendin me gaz lotsjellës, sot është pjesë e Qeverisë. Pozita që dje stagoni shtetin me pafuqinë vendimmarrëse, edhe më anemikë gjendet në opozitë. Të gjithë, kush me shumë e kush më pak, mbajnë përgjegjësi për ngecjen e madhe në këtë përvjetor jubilar të pavarësisë së Republikës, por askush nuk e ka kurajën publike që të pranojë gabimet, për të ecur përpara. Nëse vërtet duam të shkojmë drejt BE-së, rruga më e mirë është të punojmë shumë e të nxjerrim mësime nga dështimet e deritashme. Kjo klasë sundimtarësh në Kosovë na kanë bindur se nuk mërziten shumë me këtë fakt, por u intereson mbushja e xhepit dhe gushave të oligarkëve, prandaj sa më parë që qytetarët do t'i ndëshkojnë, aq më e shpejtë do të jetë kthesa e shumëpritur. 

(Kosova Sot)