Editoriali:Java e përvjetorit - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Java e përvjetorit

Editoriali:Java e përvjetorit

Java në të cilën kemi hyrë është e veçantë, sepse në fund të saj shënojmë një përvjetor jubilar, 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Këto ditë, do të jenë të mbingarkuara me retorikë politike, sidomos me propagandë të pushtetit, rrahagjoks oligarkësh për meritat e tyre të "jashtëzakonshme" dhe paraqitje të bujshme në media. Edhe pse po bëhet një dekadë shtetësi, vërehet qartë se entuziazmi është larg një feste të vërtetë. Përgatitjet që po bëhen duken të zbehta, ndërsa njerëzit janë fare pak të motivuar që të ngazëllehen. Po aq sa është arsye e fortë për të festuar përvjetori i Pavarësisë, shumë më tepër ka arsye për të protestuar ndaj politikanëve që na kanë sjellë në këtë gjendje. Nëse duam të jemi realistë dhe kritikë, duhet ta themi me zë të lartë se kjo nuk është as përafërsisht Republika që e shpresuam. Argumentet janë të bollshme për ta ilustruar këtë konstatim. Gjendje e rëndë ekonomike e sociale, mungesë totale e sundimit të ligjit, korrupsion dhe nepotizëm alarmant, braktisje shqetësuese e Kosovës nga i madh e i vogël. Papunësia është mbi 35 për qind, varfëria mbërrin shifrat e 40 përqindëshit, informaliteti në ekonomi llogaritet se është mbi 30 për qind. Vetëm vitet e fundit, Kosovën e kanë lëshuar dhjetëra mijëra qytetarë, të cilët emigruan kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian. Sektori privat është ngulfatur nga monopolet, haraçi dhe korrupsioni. Sundimi i oligarkëve është rënduar gjithnjë e më shumë dhe, për fat të keq, nëse nuk le lidhje politike apo me klanet kriminale, mbijetesa në punë, biznes, e në çdo sektor, është thuajse e pamundur. Në këtë javë të përvjetorit, përgjegjësit e kësaj krize do të mburren çdo ditë duke thënë se ata janë më meritorët, por e vërteta është ndryshe. Kjo politikë e ka përdorur shtetin për pasurimin e saj, duke zhvatur gjithçka publike. Kjo javë do të duhej të ishte javë reflektimi dhe autokritike, me shpresën për një fillim të ri pas 17 shkurtit.

(Kosova Sot)

6 orë e 55 minuta më parë
20/10/18