Editoriali:Betejë flamujsh 'Te Rrethi' vicioz

  • 15 February 2018 - 17:17
Editoriali:Betejë flamujsh 'Te Rrethi' vicioz

E kush e kishte menduar se dhjetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës, përplasja kryesore mes shqiptarëve të Kosovës do të ndodhte për shkak të flamujve. Episodi i largimit të dhunshëm të flamurit kombëtar nga shtylla 'Te Rrethi' në hyrje të Prishtinës dhe vendosjes së flamurit shtetëror, është ngjarja me siguri më e komentuar e këtyre ditëve, ku si zakonisht opinioni ndahet në dy kampe e pastaj shfrenohen në rrjetet sociale, në medie, debate, portale, gazeta. Secila palë akuzon tjetrën dhe i jep të drejtë vetes, ndërsa krerët e institucioneve lokale dhe qendrore hallin kryesor nuk e kanë për telashet me flamurin, por se si të vjedhin edhe në këtë përvjetor pavarësie. Qeveria, për shembull, ndau 600 mijë euro për të shënuar Festën e Pavarësisë, ndërsa para dhjetë vjetësh, një milion u bënë rrush e kumbulla dhe kurrë nuk pati transparencë për shpenzimin e tyre. Disa tullumbace dhe mbishkrime janë shpërndarë nëpër Prishtinë, vlera e të cilave, sigurisht nuk kalon qindra euro, ndërsa aktivitetet e tjera, eventualisht mund të shkojnë disa mijëra euro, por assesi të mbërrijnë mbi gjysmë milioni. Por, me siguri, askush nuk do të merret një herë me fondet publike, që treten për pak orë në gushat e oligarkëve të specializuar për vjedhje. Zhurma për flamujt mund të bëhet edhe më e madhe. Një sërë kamerash të medieve kosovare, dje ishin rreshtuar në pritje të ndonjë zhvillimi të ri 'Te Rrethi'. Flamurin shtetëror mund ta heqin, ta djegin, e ta ringrejnë flamurin kuqezi. Kurrë s'i dihet. Shqiptarët janë të njohur për betejat e tyre absurde. Një herë bëhen sikur e duan shumë flamurin, por pastaj e shkelin sikur të mos e kishin njohur kurrë! Nëse do ta kishim dashur aq fort shtetin e kombin, pamje të tilla nuk do të përsëriteshin kurrë. Me udhëheqës të tillë si këta tanët, qytetarët do të grinden pa fund, ndërsa për festën që presin, paratë derdhen në kontot e politikanëve mafiozë. 

(Kosova  Sot)