Editoriali:Pushteti, ky ilaç që shuan kauzat opozitare

  • 26 February 2018 - 16:59
Editoriali:Pushteti, ky ilaç që shuan kauzat opozitare

Sikur të ishte edhe Lëvizja "Vetëvendosje" në pushtet, me siguri që do të ishte pjesë e marrëveshjes së tri partive shqiptare për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Përderisa mbetet në opozitë, nuk ka asnjë interes që t'ia bëjë një shërbim ishpartnerëve opozitarë që sot bashkë me PDK-në e përhershme tashmë në qeverisje, kanë vendosur ta kamuflojnë marrëveshjen dhe ta procedojnë të mërkurën, edhe pse dy- tri vota mungojnë. Gjithsesi, kur është në pyetje pushteti, këtu na vjen në ndihmë krahu i ndarë i VV-së, që është homologu i klanit "Pronto", i njohur si klani "Coca Cola Zero" apo jahtistët e "Vetëvendosjes". Aty- këtu rrëshqet edhe ndonjë votë e tyre, për të bërë dy të tretat e nevojshme që i kërkon Kushtetuta për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare. Gjithnjë, këtu nuk ka kurrfarë rëndësie, as raporti, as Deklarata presidenciale, për sa kohë janë thjesht orientuese dhe politike, ndërsa nuk janë të njohura ligjërisht nga Mali i Zi, i cili nga ana e tij ka ratifikuar vetëm marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Kosovën. Dhe, pikërisht kjo marrëveshje është e dyshimtë, pasi ka argumente serioze se e cenon integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Opozitarët që hodhën gaz dikur e organizuan peticion popullor janë heshtur sot. Për LDK-në nuk kemi çfarë të shtojmë, sepse ata edhe kur janë në opozitë sillen si të ishin në pushtet, nën maskimin se janë "parti shtetformuese". Një parti e tillë nuk do të lejonte kurrë kapjen e shtetit dhe nuk do të bashkëqeveriste me ata që jo vetëm e kapën, por e kanë degraduar secilin sektor shtetëror dhe privat. Historia me Demarkacionin tregon mjerimin e klasës politike kosovare, që raste të tilla i sheh si alibi për të ardhur në pushtet, por kurrsesi me qëllimin e ndershëm, për të bërë diçka për vendin. E mira do të ishte që nëse ratifikohet Demarkacioni, liderët të jepnin dorëheqje, sidomos për tre vjetët që na i humbën kot së koti.

(Kosova Sot)