Editoriali:Oligarkët mafiozë e duan të izoluar Kosovën!

  • 05 March 2018 - 17:41
Editoriali:Oligarkët mafiozë e duan të izoluar Kosovën!

Gati tre vjet populli i Kosovës është duke u keqtrajtuar në dyert e ambasadave perëndimore në Prishtinë, duke u përballur me shpenzime të mëdha, diskriminim, pritje të gjata dhe në të shumtën e rasteve me refuzim të së drejtës për të udhëtuar në Evropë. Në këtë shekull, edhe pse gjeografikisht jemi pjesë e kontinentit, megjithatë për pjesën dërrmuese mbetet e pamundur lëvizja e lirë. Si për ironi të fatit, edhe pse kemi këtu misionin më të madh që ka pasur ndonjëherë BE-ja, EULEX-in, jo vetëm që nuk është lehtësuar heqja e vizave Shëngen, por, përkundrazi, kriteret ishin dyfishuar. Dhe, si për ta vulosur këtë bllokadë doli edhe një Marrëveshje e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila sipas të gjitha gjasave e dëmton territorialisht vendin tonë, për shkak të neglizhencës apo edhe qëllimeve tepër të dyshimta të Hashim Thaçit me shokë! Ku ka prekur presidenti aktual, sot ka vetëm degradim, mashtrim, korrupsion, hajni, imoralitet, varfëri, papunësi, servilizëm. Oligarkëve të pushtetit në Kosovë nuk u konvenon heqja e vizave për qytetarët, sepse nëse ndodh kështu, kurdo që të mbahen zgjedhjet e radhës partitë rrezikojnë të mbesin pa votues. Rrallë mund të gjesh një njeri në këtë shtet që është i kënaqur dhe dëshiron të jetojë edhe më tutje këtu. Askush nuk dëshiron ta rrënojë e shkatërrojë perspektivën e familjes, fëmijëve, duke pranuar të jetojë i sunduar nga një regjim autokratik mafioz dhe kriminal. Këtu askush nuk të mbron, sepse policia, prokuroria dhe gjykatat janë të kapura nga mafia politike dhe ekonomike. Pasanikët më të mëdhenj të vendit janë vetë pushtetarët mafiozë, të cilët miliardat që ia zhvatën popullit po i transferojnë në xhirollogaritë bankare të tyre dhe në asete të mëdha të blera nëpër botë, për t'i shpëtuar herët a vonë një ndjekjeje penale për hajnitë e mëdha që dyshohet se ia kanë bërë vendit. Derisa shoqëria do të durojë e do të heshtë, sundimi veç do të bëhet më i egër dhe është e qartë se jo vetëm që nuk do të na hiqen vizat Shëngen, por rrezikojmë të na kthehet regjimi i vizave edhe nga shtetet e pakta, në të cilat mund të lëvizim sot pa viza. 

(Kosova Sot)