Editoriali:Hipokrizi në emër të luftës - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Hipokrizi në emër të luftës

Editoriali:Hipokrizi në emër të luftës

Është bërë e zakonshme që me rastin e përkujtimit të momenteve historike, siç është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, interneti të vërshohet nga fotografitë e individëve të ndryshëm me protagonistët e kohës. Këtij tundimi nuk i rezistojnë as krerët e pushtetit. Ata nguten të rrëmojnë në arkivat e tyre, ndërsa edhe nëse nuk gjejnë diçka të hairit për ta postuar, nuk e kanë problem të sajojnë diçka. Me rëndësi fytyra e tyre duhet patjetër të duket në krah të heronjve, që të përcjellin kësisoj mesazhin e partneritetit në luftë dhe vazhdimësisë në paqe. Por, kjo është një hipokrizi e thellë e të gjithë atyre liderëve në radhë të parë, të cilët e kanë shpërdoruar luftën për liri e pavarësi. UÇKja vërtet që mbështetej nga populli, por në radhët e saj nuk ishin më tepër se 20 mijë ushtarë. Mijëra të tjerë meritojnë mirënjohje për kontributin, pse jo edhe certifikata zyrtare për atë që bënë në ato periudha të vështira. Por, është e papranueshme që pensionin e veteranit të luftës ta gëzojnë ata të cilëve nuk u takon. Këta që sot publikojnë fotografi me komandantin Adem Jashari kanë përgjegjësi kryesore për falsifikimin e listave të veteranëve të luftës. Hartimi i këtyre listave ishte një skandal i madh, që është pranuar tashmë hapur edhe nga vetë ish-luftë- tarët. Një biznes kriminal dyshohet se u bë me trafikimin e certifikatave të veteranëve dhe kjo është e pafalshme. Nëse moralisht përgjegjësia bie mbi ish-komandantët që vulosën listat dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij mashtrimi të madh, përgjegjësia penale do të duhej adresuar nga organet kompetente të drejtësisë. Kushdo që ka bërë shkelje do të duhej të përballej me forcën e ligjit. Fotografitë me heronjtë nuk kanë kurrfarë vlere, nëse duke njollosur idealin e tyre pushtetarët e sotëm vazhdojnë të abuzojnë me luftën dhe me ligjin. Kjo hipokrizi duhet të marrë fund!

(Kosova Sot)

14 orë e 9 minuta më parë
23/09/18