Editoriali:Republika, në prag të anarkisë!

  • 13 March 2018 - 17:14
Editoriali:Republika, në prag të anarkisë!

Në ditën kur Kosovën e vizitoi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, disa ngjarje të tjera rikonfirmuan dështimin e autoriteteve kosovare për rend e ligj, stabilitet e unitet. Mesazhet amerikane nuk dihet se cilat ishin, pas dyerve të zyrave shtetërore ku u zhvilluan takimet, por porositë kosovare, më të qarta e të turpshme njëkohësisht nuk kanë mundur të jenë. Pasi e morën në duart e tyre rastin e rëndë "Toka", vendorët lanë me shpejtësi në liri të afërmin e Presidentit të Kosovës, ishdeputetin e PDK-së dhe ish-drejtues në UÇK, Azem Sylën. Mund të merret me mend se si do të jetë përfundimi i këtij procesi gjyqësor, ku si për ta treguar simbiozën politikë-krim, mbrojtësi "sekser me pedigre" i njërës prej figurave më me ndikim të Partisë Demokratike ka qenë këshilltar kryesor i ish-kryeministrit Isa Mustafa. Në ngjarjen tjetër, nuk ka mjaftuar greva e paralajmëruar në arsim, por edhe prokurorët e Prokurorisë Speciale kanë nisur revoltën për shkak të moszbatimit të Ligjit për pagat. Në fakt, ata meritojnë ndëshkim për dështimin e tyre në punë, dhe jo të hyjnë në grevë. Gjithsesi një grevë e tillë ndodh vetëm në një shtet pa ligj, si Kosova. Nga ana tjetër, paralizimi i procesit mësimor nuk është i rastësishëm në këtë moment të rëndë politik. Ndërkohë, lajmi tjetër i keq për mijëra punëtorë të Postës së Kosovës është rreziku që ata të mbesin pa paga. Në të tri këto raste, Sindikata e arsimit, Prokuroria Speciale dhe Bordi i Postës gishtin e akuzës e drejtojnë nga Qeveria aktuale. Presioni mbi ekzekutivin do të vijë duke u shtuar, ndërsa sikur të mos mjaftonin këto telashe sindikale, sociale, financiare, të nxitura qartazi edhe nga partnerët në Qeverinë e Haradinajt, temat e mëdha nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje. Pushteti nuk i ka votat për Demarkacionin dhe politika është më e përçarë se kurrë. Me dështim në sundimin e ligjit, mungesë uniteti dhe paaftësi qeverisëse, Qeveria duket se i ka ditët e numëruara. Për fat të keq, mungesa e alternativave e bën edhe më të errët perspektivën e Kosovës.

(Kosova Sot)