Pazari parlamentar për humbjen 8200 hektarëve

  • 15 March 2018 - 18:22
Pazari parlamentar për humbjen 8200 hektarëve

Nëse deri në fillim të javës mund të ketë pasur ende mëdyshje për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, prej ditës së djeshme nuk ka më pikëpyetje. Dezertorët e Lëvizjes "Vetëvendosje", pasi rrëmbyen ulëset në Kuvendin e Kosovës, kinse në emër të ndryshimit dhe luftës kundër oligarkëve të korruptuar, kanë zyrtarizuar Grupin e tyre parlamentar. Eksponentë tipikë të SHIK-ut, dhe jo vetëm ,të veshur me kostumin e deputetit, konfirmuan publikisht se vota të reja do të rrjedhin nga "tradhtarët"e inkriminuar të VV-së. Duket se klanet tashmë janë bërë bashkë. Klani "Pronto" dhe klani "Coca Cola Zero" i jahtistëve me Shpend keqin në krye, të cilët e kanë zhvatur deri në palcë këtë vend, nuk e kanë problem t'ia falin Malit të Zi një sipërfaqe të konsiderueshme toke, përmes marrëveshjes së dyshimtë të nënshkruar nga presidenti aktual, kryekapoja i mafisë politike kosovare.

Me gjasë, ky i ashtuquajtur burrështetas, që me paratë e buxhetit po përpiqet përmes një libri propagandistik ta shesë veten si shpëtimtari i kombit, qëndron pas trafikimeve të radhës në Kuvendin e Kosovës. I mësuar me prapaskena, blerje politikanësh, shantazhe, ai është në terrenin e tij, ndërsa Qeveria kukull zbaton me përpikëri direktivat e kreut të pushtetit aktual. Pjesë e kësaj skeme të turpshme, për sigurimin e votave për Demarkacionin duket se është edhe rikthimi i një deputeteje në gjirin e partisë së kryeministrit. Koha është për pazare të shtrenjta, për para dhe pozita. 22 vende janë të lira në shërbimin e jashtëm, prandaj mos të çuditemi, me emrat e rinj të ambasadorëve, konsujve, etj., që do të përfaqësojnë Republikën. Një votë peshon shumë sot dhe me këta deputetë gjithçka është e mundur, sepse ata e kanë tradhtuar e shitur tashmë interesin e qytetarëve!

(Kosova Sot)