Dorëheqja

  • 16 March 2018 - 20:06
Dorëheqja

Reagimi i fuqishëm publik në Sllovaki, pas vrasjes së një gazetari investigativ, bashkë me të dashurën e tij, e ka detyruar kryeministrin e këtij vendi të japë dorëheqjen. I ndjeri po hetonte raste mashtrimi të biznesmenëve të lidhur me politikën. Në një situatë të ngjashme, çfarë do të ndodhte në vendin tonë, ku hapur mafia politike dhe oligarkët e biznesit zhvatin buxhetin e vjedhin qytetarët, të cilët i kanë lënë në izolim të thellë, varfëri masive e papunësi rekord?! Nuk është për t'u befasuar nëse në rrethana të tilla, kur goditet gazetaria, goditen e vërteta dhe media e lirë, pushteti jo vetëm që nuk do të mbante përgjegjësi, por do të festonte nga gëzimi. Ky është mentaliteti skandaloz i qeveritarëve të Kosovës, kjo është tradita negative e shtetrrënimit në Republikën tonë. Për fat të keq, pjesën dërrmuese të mediave që krijojnë opinion publik nëntoka dhe politika mafioze i ka nën kontroll, prandaj edhe nuk "bezdiset" shumë nga raportet hulumtuese. Presioni publik e detyron kryeministrin e një vendi si Sllovakia të japë dorëheqje, si një akt moral, por një homolog kosovar nuk do ta lëshonte karrigen pa e rrëzuar me vota në Kuvend, si kryeministrin e kaluar. Skandalet që ndodhin te ne janë të përditshme, megjithatë përgjegjësia nuk adresohet kurrë. Vetëm nën sundimin e kësaj qeveria, në disa raste, ministrat duhej të jepnin dorëheqje. Kur vdiqën pacientët në QKUK, ministri i Shëndetësisë duhej të shkonte në shtëpi. Në ditët kur u shndërruam në vendin më të ndotur në botë, ministrja e ambientit duhej të jepte dorëheqje. Kur u nënshkrua kontrata e dëmshme me 'Countour Global' për termocentralin e ri, ministri përkatës duhej të përshëndetej me kabinetin qeveritar. Në fakt, nga kreu te ministri më i parëndësishëm, kjo qeveri nuk e meriton të jetë në krye të Kosovës. Pushtetarët që palojnë miliona me djersën e kosovarëve nuk meritojnë të na qeverisin. Shoqëria jonë duhet ta shtojë presionin mbi pushtetin, të protestojë, t'i detyrojë zyrtarët të japin dorëheqje kur i shkelin ligjet dhe abuzojnë me pushtetin.

(Kosova Sot)