Editoriali:Një VETTING edhe për politikanët

  • 19 March 2018 - 16:57
Editoriali:Një VETTING edhe për politikanët

VETTING-un më tepër opinioni ynë e ka të njohur nga politika në Shqipëri dhe mediat atje, që i kanë dhënë hapësirë reformës në drejtësi ose siç njihet VETTING-ut. Asnjë gjyqtar dhe prokuror nuk mund të jetë më pjesë e sistemit nëse nuk arrin ta justifikojë pasurinë e tij. Janë një numër i konsiderueshëm që po ngecin në rrjetën e këtij verifikimi, sepse nuk kanë se si ta justifikojnë tërë atë pasuri që e kanë bërë me një rrogë mesatare shteti. Ka plot prej tyre që nuk e kanë fshehur luksin në të cilin jetojnë, me veshje e orë të shtrenjta, vetura e shtëpi luksoze. Kuptohet, të jesh kaq i kamur kur je thjesht një zyrtar shtetëror, pavarësisht pozitës, je i korruptuar. Por, të kthehemi në Kosovë, ku VETTING-u është përmendur në artikuj shtypi, por nuk ka as edhe një nismë të vetme nga politika kosovare për një reformë të tillë. Kosovës i duhet jo vetëm ta aplikojë VETTING-un, por ta zgjerojë atë përtej sistemit të drejtë- sisë. Politikanët duhet të jenë të parët që të jenë pjesë e VETTING-ut, për një arsye të thjeshtë. Njerëzit më të korruptuar dhe më të pasur janë pjesë e politikës. Është e pamundur që me të ardhura nga pagat shtetërore, edhe pse në disa raste janë vërtet tepër të larta, të bësh një jetë sheiku në Kosovë. Politikanët tanë nuk e fshehin luksin bashkë me familjarët e tyre. Mjafton të hyni në internet dhe secili mund ta gjejë çmimin e një çante apo një ore që e mbajnë pushtetarët dhe të afërmit e tyre. Me zhvatjen e madhe të fondeve publike oligarkët kanë krijuar pasuri të jashtëzakonshme. Për fat të keq, me gjasë të korruptuarit po i zhvendosin qindra milionë euro të përfituara paligjshëm jashtë Kosovës, në parajsat fiskale, ndërsa drejtësia e kapur nuk e ka ndërmend të lëvizë nga vendi. Megjithatë, një ditë askush nuk do t'i gëzojë pasuritë e bëra duke zhvatur popullin e vuajtur të Kosovës.

(Kosova Sot)