Editoriali:Patriotë, por edhe hajna

  • 21 March 2018 - 17:49
Editoriali:Patriotë, por edhe hajna

Në mesin e debateve parlamentare, në seancën e djeshme nuk munguan as retorikat nacionaliste për patriotizmin, gatishmërinë për të mbrojtur kufirin, atdheun etj. Disa deputetë, ish-komandantë të UÇK-së, ende besojnë se e mbajnë monopolin e patriotizmit në këtë vend. Atyre dhe të gjithë të tjerëve që iu bashkuan luftës për çlirimin e Kosovës duhet t'ua heqim kapelën për sakrificën e tyre. Çdo meritë dhe respekt, çdo nderim dhe mbështetje për këtë kategori, por asnjë tolerim për bëmat e pasluftës. Shumë prej këtyre patriotëve të dikurshëm sot, në kostumin e politikanit, janë shndërruar në pasanikët e Republikës. Plot ish-komandantë jetojnë në lagjet më të shtrenjta, bëjnë pushime milionerësh, kanë pasuri të pajustifikueshme nëse marrim për bazë burimet e të ardhurave legale që i kanë të deklaruar në formularët e Agjencisë Antikorrupsion. Pushteti i tyre ka ardhur duke u forcuar, ndërsa pasuria duke u shumuar. Të dhënë pas luksit dhe lekut, idealet dhe patriotizmi, u harruan e vendin e tyre e zunë grykësia e babëzia. Të thirresh pas gati dy dekadash sërish në emrin e luftës, për të mbuluar kërdinë politike, institucionale e financiare, që po bëhet edhe sot, është e turpshme. Por, fajin nuk e kanë vetëm këta që e kanë uzurpuar shtetin, pronën publike, pasurinë e këtij populli. Përgjegjësi kanë edhe këta të tjerët, që shesin patriotizëm gjithashtu, por në anën tjetër bëhen pjesë e masakrimit të Republikës. Përgjegjësi kanë edhe njerëzit e drejtë- sisë që nuk kanë pikë guximi për t'i vënë me shpatulla për muri politikanët e korruptuar, pavarësisht nëse kanë luftuar apo ajo. Është e qartë se po të mos kishim patriotë as vendi nuk do të çlirohej. Por, po ashtu, është e kthjellët si drita e diellit se po të mos ishin korruptuar kaq shumë këta "patriotët" Kosova nuk do ta pësonte një stërkeqje të tillë në çdo aspekt. Ata që e vjedhin shtetin dhe popullin e tyre veç patriotë nuk mund të jenë!

(Kosova Sot)