Editoriali:A mund ta luftojnë oligarkët e korruptuar veten?

  • 23 March 2018 - 17:06
Editoriali:A mund ta luftojnë oligarkët e korruptuar veten?

Me një kastë politike të korruptuar deri në palcë, kriteri i vetëm i mbetur për të përfituar liberalizimin e vizave duket i paarritshëm, për sa kohë në pushtet janë zyrtarë të inkriminuar, nga kreu i shtetit e deri në zyrën më të parëndësishme. Korrupsioni nuk është vetëm çështje perceptimi, siç justifikohen shpesh politikanët tanë, por një realitet i hidhur, me të cilin na duhet të përplasemi çdo ditë, në secilën lëmi. Korrupsioni është shndërruar në mentalitet qeverisës, duke mos e lënë pa i prekur shoqërinë civile dhe mediat. Një ditë pas ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, edhe pse u konsiderua se është hap kyç drejt liberalizimit të vizave, përfaqë- sues evropianë në Prishtinë dhe në Bruksel e bënë të qartë se duhen rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tash, pyetja që u drejtohet ambasadorëve që bënë presion të vazhdueshëm që të ratifikohej demarkacioni, është fare e thjeshtë: A besoni se oligarkët e korruptuar do të ngrihen kundër vetes? Pak si vështirë për ta pritur një gjë të tillë. Kur shohim se si përfundon ndonjë proces që ka përfshirë eventualisht një peshk të madh, shpresa të venitet krejtësisht. Kokat e mëdha të krimit, në politikën kosovare, janë të mbrojtur dhe përmbi ligjin. Për sa kohë kjo kategori e pushtetit ka imunitet, nuk ka gjasa ta përmbushim kriterin e luftës kundër korrupsionit. Në Kosovë ka shumë fjalë, por aspak vepra në këtë aspekt. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se përmbushja e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave mund të varet vetëm nga një lloj bujarie evropiane, për ta mbyllur njërin sy, sepse përndryshe sa të jetë në pushtet klani "Pronto" dhe klani "Coca Cola Zero", izolimi mund të bëhet më i thellë, por jo të hiqet. 

(Kosova Sot)