Editoriali:Shefat e "pafajshëm" të klanit "Pronto" - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Shefat e "pafajshëm" të klanit "Pronto"

Editoriali:Shefat e "pafajshëm" të klanit "Pronto"

Disa ditë pas një takimi të Presidentit të Republikës me Kryeprokurorin e Shtetit, Prokuroria ka bërë publike aktakuzën për rastin e njohur si skandali "Pronto", ku politikanë, zyrtarë, ministra, etj., dëgjohen në përgjimet telefonike, duke vendosur për punësime të ndryshme, pa përfillur procedura e kritere ligjore. Afera hedh dritë mbi një cikël shkeljesh në të cilën janë të përfshirë të gjitha partitë, kush më shumë e kush më pak. Por, subjekti kryesor që ka lënë vulën e vet në degradimin e shtetit, është pa dyshim Partia Demokratike e Kosovës, e cila ndërtoi një sistem të tërë klientelist, korruptiv, të inkriminuar, militant, jomeritor, duke e goditur shtetin në secilën shtyllë të tij. Ngritja e aktakuzës ndaj disa prej pjesëtarëve të klanit "Pronto" është lajm i mirë për vendin, por vetëm pjesërisht mund të na krijojë një ndjenjë besueshmërie. Çfarë aktakuze mund të jetë kjo, që përjashton kokat dhe autorët e aferës?! Shefat e klanit "Pronto", presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli nuk janë pjesë e aktakuzës, edhe pse në përgjimet e publikuara kuptohet qartazi që Adem Grabovci është vetëm një zbatues i urdhrave të tyre të kundërligjshëm. Në prag të marrjes së njoftimit për liberalizimin e vizave, Kosovës i duhet të tregojë rezultate serioze në luftën kundër "peshqve të mëdhenj" të korrupsionit e krimit te organizuar. Kjo aktakuzë është vetëm shkëndija, por jo edhe suksesi. Ky skandal nuk mund të ndriçohet, duke nxjerrë para drejtësisë vetëm zbatuesit e urdhrave e duke amnistuar mentorët që i dhanë urdhrat për secilin veprim që përbën vepër penale, e që ka ndodhur në këtë vend, sidomos në dekadën e fundit, kur korrupsioni e krimi i organizuar dhe keqpërdorimet e zhvatjet e buxhetit dhe të aseteve të shtetit mbërritën në shkallën më të lartë deri tash. Është fare e qartë se me PDK-në në pushtet, dhe me tërë sistemin e drejtësisë - hetuesi, prokurori dhe gjyqësi të kapur prej saj, shumë afera nuk do të zbardhen kurrë dhe pjesa dërrmuese e përgjegjësve do t'i shpëtojnë ligjit me ndihmën e qindra "Maliqëve" të tyre ne sistemin e drejtësisë. Edhe aktakuza ndaj Grabovcit me shokë, duke kursyer shefat e krimit, me gjasë do të jetë (ndofta vetëm) një spektakël i radhës në luftën e rreme kundër korrupsionit e krimit të organizuar.  

(Kosova Sot)

11 orë e 7 minuta më parë
17/07/18