Editoriali:Një kryeministër normal do të kërkonte votëbesimin - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Një kryeministër normal do të kërkonte votëbesimin

Editoriali:Një kryeministër normal do të kërkonte votëbesimin

Qeveria e mbetur me 52 vota në Kuvend formalisht mund të vazhdojë të nxjerrë vendime, e ta qeverisë vendin, por legjitimiteti i saj ka humbur që prej daljes së serbëve nga koalicioni. Edhe pse zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mos jenë zgjidhja e preferuar, sepse nuk është bërë as një vit që nga koha kur u mbajtën zgjedhjet e radhës, gjithashtu të parakohshme, ekzekutivi duhet ta testojë besimin parlamentar. Fundja, të zgjedhurit e popullit, këta që janë, të mirë apo të këqij qofshin, duhet të votojnë nëse janë të pajtimit që qeveria 'Haradinaj' të mbetet në pushtet apo të shkarkohet dhe t'i hapet rruga një qeverie të re. Për shkak të fshehtësisë së opozitës, që njësoj si këta që janë në pushtet kalkulon hapat më të dobishëm për interesat e saj, e jo të popullit, një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit as që duket në horizont. Duket qartë se parti të pozicionuara në opozitë janë duke flirtuar me pushtetin, për skenarët e radhës. Në këto rrethana, kur kryeministri është i varur nga votat e dirigjuara prej Beogradit dhe opozitës kosovare, ky i fundit do të duhej që vetë të kërkonte votëbesim në Kuvend, për të parë nëse e ka mbështetjen apo e ka humbur. Për kreun e qeverisë duket se ky është hapi i vetëm pozitiv që mund të mbështetej edhe në opinionin publik, por me gjasë ai nuk është i gatshëm ta bëjë këtë veprim, sepse pasioni për kolltukun kryeministror është më i fuqishëm se çdo interes nacional. Si rrjedhojë, rrëzimi i qeverisë do të vijë kur PDK-ja do ta vlerë- sojë se është momenti i duhur për t'u ringjallur në zgjedhjet e parakohshme. Matematikat janë të qarta tashmë: Kryeministri është zhytur në dështime dhe përkeqësim të imazhit publik, 'Vetëvendosje' është goditur rëndë, duke u ndarë përgjysmë, ndërsa LDK-ja mbetet e hendikepuar për shkak të shëndetit jo të mirë të liderit. Shkuarja drejt kutive të votimit, pra, duket e pashmangshme brenda këtij viti!

(Kosova Sot)

9 orë e 51 minuta më parë
27/04/18