Editoriali:Pse asnjë parti nuk e do Ligjin e VETTING-ut?

  • 16 April 2018 - 17:10
Editoriali:Pse asnjë parti nuk e do Ligjin e VETTING-ut?

Megjithëse me vështirësi, në Shqipëri VETTING-u ka filluar të japë rezultatet në sistemin e drejtësisë, ku gjyqtarë e prokurorë që nuk arrijnë të justifikojnë pasurinë e tyre nuk mund të jenë më pjesë e institucioneve. Por, në Kosovë partitë qëllimshëm i shmangen hapjes së debatit për një reformë të tillë. Disa të vetëquajtur ekspertë thonë se një VETTING-u është bërë edhe këtu, por e vërteta nuk është kështu. Asnjëherë nuk ka pasur një verifikim të duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë pjesë e sistemit. Si rrjedhojë, në strukturat drejtuese të gjykatave dhe prokurorive, politika i ka njerëzit e saj te rekrutuar gjithandej, të cilët manipulojnë rastet e ndryshme gjyqësore, aktakuzat, vendimmarrjen. Jo rastësisht, drejtësia e ka humbur besimin dhe publiku nuk shpreson se me këtë nivel të gjyqësorit mund të ketë zbatim të ligjit dhe respektim të të drejtave të njeriut. Por, çfarë duhet bërë në rrethana të tilla dekurajuese? VETTING-u do të ishte zgjidhja më e mirë, edhe pse me një kosto të lartë për marionetat e partive që bëjnë karrierë në mënyrë të pamerituar në radhët e gjykatave dhe prokurorive. Është e qartë se pa një vullnet politik nuk mund të iniciohet as reforma në drejtësi dhe aktualisht, për fat të keq, as partitë opozitare nuk kanë ndonjë motivim të fortë, që ta ndërmarrin një nismë të tillë. Të paktën deri tani, asnjëri subjekt nuk ka procedura, nisma konkrete, në Kuvendin e Kosovës për të bërë VETTING-un. Kjo reformë do të duhej të përfshinte edhe institucionet e tjera, përveç gjykatave dhe prokurorisë. Policia, ministritë, Kuvendi, ambasadat, kompanitë publike, agjencitë e pavarura, kudo ku zyrtarët dyshohet se kanë vjedhur e shpërdoruar fonde, duhet t'i nënshtrohen VETTING-ut. Ata që janë të pastër nuk duhet të frikësohen , ngase mund të mbesin pjesë e organeve shtetërore, por të gjithë zyrtarët që nuk arrijnë ta justifikojnë pasurinë e tyre, duhet të përjashtohen dhe t'u nënshtrohen hetimeve për pasurim korruptiv. Nëse edhe vetëm ndonjë parti e ka seriozisht përkushtimin ndaj Republikës së Kosovës, atëherë le ta iniciojë Ligjin e VETTING-ut në Parlament, për ta pastruar shtetin e kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar!

(Kosova Sot)