Editorilai:Konsensus për zhvatje

  • 17 April 2018 - 17:28
Editorilai:Konsensus për zhvatje

Edhe pse Kosova aktualisht ka një Qeveri të pakicës, Kuvendi vazhdoi punën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por, një situatë e tillë është anormale, sepse vazhdimisht do të ketë bllokada, ngecje e zvarritje të miratimit të ligjeve, të marrjes së vendimeve të ndryshme që kërkojnë qoftë edhe shumicën e thjeshtë në Kuvend. Nga ana tjetër, pritet që edhe Brukseli në Raportin e Progresit të theksojë se vendit i duhet një konsensus i gjerë nacional, për adresimin e temave e sfidave kryesore. Një gjë e tillë as që duket në horizontin politik kosovar. Megjithatë, pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë: Çka e mban në pushtet këtë Qeveri edhe më tutje, me tërë këtë armatë ministrash nga më të dobëtit në historinë e Kosovës?! Është e qartë se përtej ballafaqimit pozitë-opozitë, që mund të krijojë opinione mashtruese në sytë e qytetarëve, një konsensus veç ekziston. Fjala është në biznesin e pistë që e bën politika, duke keqpërdorur vullnetin e votuesve. Në publik, politikanët mund t'i shohim duke kritikuar, duke sharë, duke fyer njëri-tjetrin, por në prapaskenë, pas seancave dhe mbledhjeve të Qeverisë, ata janë së bashku, duke realizuar interesat e tyre të ngushta. Partitë e sotme dallojnë fare pak mes tyre, sepse pa përjashtim, që të gjitha synimin kryesor e kanë marrjen e pushtetit, për ta zhvatur shtetin dhe popullin, pasurinë publike dhe buxhetin e taksapaguesve. Është e kotë të shpresojmë se me këtë garniturë politike mund të arrijmë që të bëjmë ndryshimin e madh. E vetmja alternativë dalëse është shprehja masive e pakënaqësisë nga populli e ndoshta në këtë rast, nga frika e ndonjë fundi dramatik, siç u ka ndodhur sundimtarëve në vende të ndryshme, pushtetarët e korruptuar, do t'i nënshtrohen presionit publik dhe do të japin dorëheqje. Fatkeqësisht, as presioni publik nuk po shihet gjëkundi, edhe pse ky vend mbetet në izolim dhe mungesë të theksuar zhvillimi.

(Kosova Sot)