Editoriali:Mësoni një herë shqip, pastaj edhe anglisht

  • 22 April 2018 - 16:09
Editoriali:Mësoni një herë shqip, pastaj edhe anglisht

Shumë deputetë u ankuan se nuk dinë anglisht dhe nuk kanë si ta lexojnë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. Ky fakt është domethënës për nivelin e përfaqësuesve të popullit. Të jesh deputet e të mos dish gjuhën angleze, do të thotë se ligjvënësit tanë kanë një mangësi të madhe. Të gjitha ligjet, dokumentet, marrëveshjet bëhen edhe në gjuhën angleze, ndërsa komunikimi gjithashtu zhvillohet në këtë gjuhë, në nivele të ndryshme ndërkombëtare. Mund ta imagjinojmë se si ndihen këta deputetë, që përveç shqipes, nuk kanë njohuri gjuhësore të tjera. Ç'është e vërteta, këta as shqipen nuk është se e flasin mirë. Vetëm dëgjoni fjalimet e tyre, që të bëjnë të ndihesh keq. Nuk dinë as t'i lexojnë! Por, ky është vetëm një nga shumë argumentet pse shumica e këtyre deputetëve nuk e kanë vendin në institucione. Kjo mund të jetë me siguri ndër legjislaturat më të dobëta, me nivelin më të ulët arsimor dhe intelektual, prandaj edhe vendimet që merren nga kjo përbërje parlamentare nuk mund të jenë në shërbim të Republikës. Deputetët që punojnë vetëm për interesa të ngushta, klanore, partiake, biznesore, nuk mund të jenë kurrë zëri i sovranit. Ata u shërbejnë oligarkëve të pushtetit dhe biznesit, por nuk mund ta përmbushin mandatin e tyre përfaqë- sues. Prandaj, është në të mirën e Kosovës, që sa më parë që ky Parlament shpërbëhet, aq më mirë do të jetë për proceset e rëndësishme që po kalon shteti. Këta deputetë nuk e ngrenë asnjë çështje të ndjeshme që u intereson qytetarëve. Ata nuk flasin për VETTING-un, për dekriminalizimit, për monopolet, për oligarkinë, korrupsionin. E tëra çfarë bëjnë është të zhurmojnë pa pushim pa arritur kurrfarë rezultati. Është fatkeqësi për popullin tonë që e kemi një Kuvend të tillë. Partitë, nëse duan të punojnë për shtet, së pari duhet ta reformojnë sistemin zgjedhor, që po u mundëson profanëve, analfabetëve, banditëve të bëhen deputetë.

 

(Kosova Sot)