Editoriali:Zgjedhje apo konsensus

  • 24 April 2018 - 17:07
Editoriali:Zgjedhje apo konsensus

Liderët e dy partive kryesore kanë dalë me dy propozime të ndryshme, në të njëjtën kohë, duke konfirmuar edhe një herë se politika kosovare është ende larg gjetjes së një emëruesi të përbashkët për temat e mëdha. Në fakt, Qeveria aktuale, nëse nuk e mbështesin deputetët opozitarë, nuk arrin dot të marrë as vendime për çështje minore, e lërë më për tema të mëdha. Sidoqoftë, kryetari i PDK-së dhe ai I LDK-së i kanë parashtruar dy alternativa të ndryshme. Platforma e propozuar nga Kadri Veseli, për të arritur një unitet politik për kalimin e çështjeve kryesore që shqetësojnë sot Kosovën, duket se është një hap propagandistik e asgjë më shumë, ndërsa ftesa e Isa Mustafës për tryezë politike, për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse kërkesë e arsyeshme, duket e zbehtë. Problemi kryesor me partitë aktuale është se asnjëra prej tyre, përfshirë edhe "puritanët" e "Vetëvendosjes", nuk janë në gjendje të sakrifikojnë për interesin shtetëror duke lënë mënjanë atë partiak. Opozita kalkulon që Qeveria aktuale mund të "digjet" duke proceduar me Asociacionin antikushtetues dhe me dialogun e nxituar me Serbinë, ndërsa pushteti, duke e menduar njësoj veprimin opozitar, mundohet të fitojë në kohë që t'ia zgjatë jetën koalicionit që të zhvatë sa më shumë. Pra, i vetmi mirëkuptim politik i sigurt deri më tash është pajtimi për të vjedhur shtetin. Sot vjedhin këta që janë në Qeveri, nesër këta që deri dje ishin në opozitë dhe vijnë në pushtet. Kësisoj, elita e sotme politike po pasurohet duke kompleksuar edhe biznesmenët më të fuqishëm, ndërsa shtresat e gjera të shoqërisë janë duke përjetuar vuajtje e mjerim, padrejtësi e sundim. Ndërkohë, vendi qeveriset nga një ekzekutiv i pakicës, që ka humbur shumicën në Kuvend, nuk ka program të qartë dhe është duke dështuar qartazi. Prioriteti numër një i politikës duhet të jetë shkarkimi sa më parë i kësaj Qeverie dhe pastaj shkuarja në zgjedhjet e reja. 

 

(Kosova Sot)