Editoriali:Këta edhe shtetin e falimentojnë

  • 25 April 2018 - 17:03
Editoriali:Këta edhe shtetin e falimentojnë

Alarmi për kompaninë publike që dikur ishte krenaria ekonomike e Kosovës dhe vlerësohej një miliard euro, nuk përbën kurrfarë befasie. Fati i PTK-së është paracaktuar nga krerët e vendit, klani "Pronto" me pëlqimin në heshtje të të gjitha partive, të cilat për vite të tëra morën pjesë nga tepsia tashmë e zbrazur dhe e ndryshkur e Telekomit të Kosovës. Falimentimi i paralajmëruar është vetëm njëri rrezik, sepse arbitrazhi me AXOS-in, një tjetër skenar me pasoja të rënda, është në horizontin e zymtë të Qeverisë kosovare. Rasti me PTK-në është ilustrimi më i mirë i dështimit skandaloz të qeverive tona në menaxhimin e resurseve publike. Të gjitha kompanitë nuk janë konsideruar asnjëherë si pronë e popullit, por thjesht janë trajtuar si plaçkë dhe strehë e militantëve politikë, klientelës dhe familjarëve të politikanëve. Si të tilla, këto ndërmarrje, me PTK-në në krye, u shndërruan në objekte luksi dhe privilegjesh, rrogash tepër të larta për standardin kosovar, ndërsa milionat fluturonin sipas lidhjeve korruptive e kriminale. Degradimin e pandalshëm e shfrytëzuan më së miri oligarkët e biznesit, që njëkohësisht ushqenin dhe ushqeheshin nga pushteti i inkriminuar. Me një drejtësi të kapur e të pazonjën, çdo plan kriminal do të realizohej dhe kështu ndodhi. Nuk është aspak çudi pse, edhe pas rrënimit të kompanisë, askush nuk është i akuzuar as i dënuar. Dhe, as që pritet të jetë dikush! Shembulli i PTK-së është alarm për krejt shtetin, sepse politikanët dhe mafio-oligarkët, që e sollën buzë falimentimit këtë kompani, janë në gjendje ta bien në faliment krejt shtetin. Ky është moment i fundit, kur shoqëria do të duhej të reagonte në mënyrë të fuqishme, për të kundërshtuar këtë abuzim të jashtëzakonshëm që bëhet në kurrizin e taksapaguesve. Edhe pse ndërmarrjet, si PTKja, punojnë me humbje milionëshe, me taksat tona duhet t'u paguajmë menaxhmenteve dhe bordeve të paafta, që u shërbejnë partive, jo vetëm rroga të majme, por edhe bonuse!

 

(Kosova Sot)