Editoriali: Jo t'u hiqen mëditjet, por të mos votohen më

  • 28 April 2018 - 16:07
Editoriali: Jo t'u hiqen mëditjet, por të mos votohen më

Në Ditën e të Pagjeturve, Kuvendi dëshmoi se asnjëherë nuk e ka pasur seriozisht zbardhjen e fatit të personave që u rrëmbyen e u zhdukën nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës. Edhe pse mbajtën disa fjalime të zjarrta, kur erdhi momenti për të votuar rezolutën me rekomandimet përkatëse, nuk kishte kuorum. Më turp nuk ka për këtë legjislaturë, e cila, kur nuk është në gjendje as kaq të bëjë për familjarët e personave të pagjetur, çfarë mund të bëjë për adresimin e të gjitha atyre sfidave që shqetësojnë sot shoqërinë tonë? Ironia më e madhe ishte se për të mos e humbur mëditjen, deputetët që mungonin nuk kishin harruar ta shënonin prezencën e tyre në sallën e Kuvendit. Por, ata kanë harruar se janë aty për të përfaqësuar zgjedhësit, sovranin, e jo për të përfituar në kurrizin e tyre. Në fakt, sidomos kjo përbërje parlamentare është duke u treguar shumë e papërgjegjshme, me veprimet e saj, që veç në shërbim të qytetarëve nuk janë. Kryeparlamentari kërkoi që t'u hiqet mëditja atyre që pamundësuan kuorumin duke dështuar miratimin e rezolutës për të pagjeturit, por ky është ndëshkim tepër i butë. Dënimin më të rëndë duhet t'ua japë votuesi, kurdo që mbahen zgjedhjet e reja. Është e pafalshme, që asnjë rezolutë të mos arrijë ky Kuvend ta miratojë. Nuk ka asnjë justifikim për këtë neglizhencë dhe injorancë të deputetëve kosovarë. Po të ishin treguar më serioze institucionet tona, zbardhja e fatit të personave të pagjetur mund të kishte ndodhur, por asnjëherë nuk ka qenë prioritet as qeveritar, as partiak, as në dialogun me Serbinë. Bisedimet me shkaktarin e krimeve gjenocidale në Kosovë duhej të ishin kushtëzuar me dhënien e informacioneve për krimet monstruoze të regjimit serb në vendin tonë. Për masakrat e shumta, ende nuk ka drejtësi, ndërsa Kosovës i kërkohet edhe të themelohet një Gjykatë Speciale. Me deputetë të tillë, si këta aktualët, vështirë se ndonjëherë do të hidhet dritë mbi fatin e të zhdukurve. 

(Kosova Sot)