Editoriali:Depresion kosovar nën sundimin e oligarkëve

  • 02 May 2018 - 17:08
Editoriali:Depresion kosovar nën sundimin e oligarkëve

Nga 1.2 milion kosovarë të aftë për punë, vetëm 350 mijë prej tyre janë të punë- suar, sipas të dhënave zyrtare. Me një papunësi mbi 30 për qind në nivel nacional, që në radhët e të rinjve kalon shifrën 60 për qind, Kosova e ka shënuar Ditën e Punëtorëve mes protestave dhe festimeve. Të gjitha qeveritë e deritashme kanë dështuar në politikat e tyre për punësimin dhe zbutjen e varfërisë. Secili regjim, në vend që të nxiste ekonominë e tregut dhe investimet në sektorin privat, shumëfishuan radhët në administratën publike, ndërsa investimet kapitale i bënë aty ku mund të zhvatnin më shumë, e jo në fushat ku do të kishte hapje vendesh të reja pune e zhvillim ekonomik. Nga ana tjetër, rritja elektorale e pagave e goditi ndjeshëm sipërmarrjen private, që sot e ka të vështirë të gjejë punëtorë, edhe kur hapet ndonjë vend pune. Të gjithë duan të gjejnë një punë shteti, që paguhet më mirë se në privat, ndërsa nuk ka ndonjë ngarkesë, në përgjithësi. Kësisoj, u stërmbushën institucionet qendrore e lokale, kompanitë publike e agjencitë e pavarura. Shteti e goditi ashpër ekonominë, me pazaret e ulëta politike, ndërsa sot përballemi me papunësi rekorde, rënie të fuqisë prodhuese dhe shkallë në rritje të emigrimit të kosovarëve, sidomos të fuqisë së re punëtore. Me këtë ritëm, pas disa vjetësh, shumë kompani mund të mbyllen, sepse nuk do të ketë më krah pune për to. Tregu është i stërmbushur me të diplomuar, sidomos në juridik e ekonomik, por nuk gjen profesionistë të fushave të ndryshme, sepse edhe politikat arsimore të qeverive kosovare rezultuan të dështuara. Problemi kryesor që kanë bizneset është fuqia e pakualifikuar punëtore. Në këto rrethana të vështira, Kosova jo vetëm që e ka zor të ecë përpara, por rrezikojmë të hyjmë në një fazë depresioni ekonomik-social të rëndë. Pa e ndryshuar skenën politike, është e pamundur të kemi punësim, siç premtonin të gjithë liderët që dje drekonin në shoqërinë e mafio-oligarkëve, ndërsa shumica e popullsisë vuan pasojat e sundimit të tyre të egër.

 

(Kosova Sot)