Editoriali: Tryezat,tregues i krizës shtetërore - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Tryezat,tregues i krizës shtetërore

Editoriali: Tryezat,tregues i krizës shtetërore

Pas Lidhjes Demokratike, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar subjektet e tjera në një tryezë diskutimi, duke treguar kështu se debati dhe vendimmarrja në institucionet shtetërore është në një krizë të thellë. Tryezat janë të panevojshme, nëse kemi Kuvend funksional, Qeveri normale, institucione stabile. Por, që të gjitha këto kanë dalë nga binarët. Kuvendi shumicën e herëve as që ka kuorum, ndërsa Qeveria nuk mund të kalojë thuajse asnjë vendim, nëse nuk ka edhe vota të opozitarëve. Deputetët e kanë të rëndësishme që me çdo kusht të mbërrijnë të paktën deri në gjysmë të mandatit, sa për të qenë përfitues të privilegjeve që ua garanton ligji nëse mbi dy vjet janë deputetë. Pra, për ligjvënësit pak vlen nëse Qeveria ka dështuar, është e paaftë dhe e korruptuar, e ka humbur shumicën apo po varet vetëm nga Lista Serbe. Si gjithnjë, interesi personal është mbi atë publik, prandaj edhe Kosova ka ardhur në këtë pozitë të vështirë aktualisht. Nga ana tjetër, Qeveria veç normale nuk është në asnjërin dimension që ta analizosh. Edhe pse ka një armatë ministrash e zëvendësministrash, deri tash askush nuk është shquar për ndonjë performancë mbresëlënëse. Për shumicën, në fakt, as që dihet se çfarë bëjnë. Të gjithë sektorët janë të degraduar, kurse Qeverisë i mungon vizioni, dija, energjia për të bërë ndryshime pozitive. Qeveritarët e sotëm, përfaqësojnë nivelin më të padobishëm në shoqërinë kosovare, prandaj është e kotë të presësh rezultate prej tyre. Duke i destabilizuar me këtë qeverisje institucionet, Kosova ka hyrë në një fazë të rëndë të mbijetesës, kur fare pak na ndan nga një kolaps i përgjithshëm. Mbajtja e tryezave mund ta zhvendosë paksa vëmendjen publike, se gjoja subjektet janë duke bashkëpunuar për të mirën e shtetit, por e vërteta është ndryshe. Ato janë bashkë vetëm kur zhvatin, e fatkeqë- sisht ky është lajtmotivi i politikës kosovare. Partitë e kanë për obligim që të mos e mundojnë shumë votuesin, por le ta testojnë veten sërish te qytetari i zhgënjyer e i varfëruar nën sundimin e tyre. Tryezat, së paku, këtë qëllim mund ta arrijnë!

(Kosova Sot)

8 orë e 1 minuta më parë
17/10/18