Editoriali:'Evropianët' e ngujuar, Qeveria e 'Iphone'-ve dhe socialdemokratët e Devollëve

  • 10 May 2018 - 17:19
Editoriali:'Evropianët' e ngujuar, Qeveria e 'Iphone'-ve dhe socialdemokratët e Devollëve

Telefonat e shtrenjtë që i blejnë përmes prokurimit, qeveritarët kosovarë nuk është se çojnë peshë në mbarëvajtjen financiare të shtetit, por janë një ilustrim i babëzisë së pushtetit për ta shfrytëzuar buxhetin e taksapaguesve për sa më tepër luks. Aq larg mbërrijnë këta zyrtarë, sa edhe faturat e tyre private ua ngarkojnë kodeve buxhetore institucionale. Me telefonat e shtrenjtë, veturat luksoze, bonuset e privilegjet që ia shtojnë vetes, shtetarët tanë e shënuan Ditën e Evropës, në vendin e izoluar, të varfëruar e të pashpresë, aktualisht. Edhe pse sërish na premtuan lëvizje të lirë, është më se e qartë se as sivjet nuk ka liberalizim vizash, pasi nuk ka sundim ligji dhe ngase të korruptuarit dhe krimi i organizuar e sundojnë Republikën. Këtë ia bëri të qartë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kreut të Kosovës, përgjegjësit numër një për degradimin e skajshëm të çdo sektori në Republikën e Kosovës. Brengat kryesore të qytetarëve, krimi e korrupsioni dhe papunësia, u adresuan edhe nga kancelarja e Gjermanisë. Kosova nuk mund të dalë nga izolimi me pushtetarë të korruptuar, që shpresën për të mbijetuar në politikë e kanë te kompromiset e reja me Serbinë në dëm të popullit e në dobi të Serbisë. Alternativa e re, për të cilën ka nevojë vendi, as që duket në horizont. Tallja socialdemokrate, që zyrtarizoi edhe një subjekt tjetër të Devollistanit, tregon se sa poshtë ka rënë politika jonë fare e stërkequr. Oligarkët e bizneseve të pista ushqejnë politikën e inkriminuar dhe kjo e fundit i mban të paprekshëm partnerët që ua mbushin gushën. Kjo është Republika e Kosovës në Ditën e Evropës, që çuditërisht nuk festohet si ditë pushimi askund, përveç Kosovës! Ky vend, vërtet është sui generis. Me dembelizëm e festa absurde mund të vërtitemi në rrethin tonë vicioz, por BE-në do ta shohim me teleskop për një kohë të gjatë!

 

(Kosova Sot)