Editoriali:Liberalizimi i pasigurt i vizave - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Liberalizimi i pasigurt i vizave

Editoriali:Liberalizimi i pasigurt i vizave

Politikanët kosovarë e kanë bërë zakon t'i mashtrojnë qytetarët, sidomos kur është fjala për çështje të ndjeshme, siç është liberalizimi i vizave shëngen për Kosovën. Gjatë këtyre ditëve janë shtuar deklaratat politike se në qershor do të jepet drita jeshile për lëvizjen e lirë të kosovarëve, por duket se asnjëra prej këtyre deklaratave nuk është e bazuar, por janë thjesht për konsum të brendshëm. Këtyre zërave ua ka ndalur hovin vizita e nënkryetarit të Parlamentit Evropian, politikanit gjerman Rainer Wieland. Ai ua bëri të qartë zyrtarëve kosovarë, që të mos japin kot data për liberalizimin e vizave, sepse ky është një proces i gjatë dhe i komplikuar, që kalon nëpër disa hallka të rëndësishme. Askush nuk mund ta dijë se cili do të jetë përfundimi, pavarësisht vullnetit të njohur për ta nxjerrë Kosovën nga izolimi. Megjithatë, liderët kosovarët duhet të tregohen të sinqertë të paktën një herë të vetme me popullin. Vende si Franca, Holanda apo ndonjë tjetër, kanë ende rezerva, në bazë të burimeve të ndryshme afër me zhvillimet. Mos të harrojmë se liberalizimi i vizave do të jetë jo thjesht një mundësi për të lëvizur pa viza në vendet e BE-së, por një rast i volitshëm për dhjetëra- mijëra kosovarë, sidomos të rinj, që të emigrojnë. Edhe pse liberalizimi nuk nënkupton emigrimin, është më se e qartë se rreziku nga një fluks i ri drejt BE-së nga Kosova është më se evident. Me këtë lidership të dështuar në qeverisje e të suksesshëm në korrupsion është shuar shpresa se jeta do të përmirësohet në Republikën e Kosovës. Si rrjedhojë, plot njerëz mezi presin të largohen një orë e më parë nga ky vend, në kërkim të një jetesë më të mirë, një vendi pune, shkollimi më të mirë. Për kosovarët është e padurueshme të mbeten në këtë geto, por problemi kryesor është se ky regjim nuk mund të na nxjerrë kurrë nga izolimi. Këtë e shohin edhe evropianët, prandaj edhe numri dy i PE-së ua tërheq vërejtjen politikanëve tanë që të mos japin më data për liberalizimin e vizave.

 

(Kosova Sot)

10 orë e 53 minuta më parë
28/05/18